Pas humbjes, Vuçiç këndon këngën nacionaliste për Kosovën

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.11.2026, 10:26

Ish-presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mbledhur mbështetësit e tij në Sremska Mitrovicë, ku ka paralajmëruar një fazë të re politike për Partinë Përparimtare Serbe, pas humbjes në zgjedhjet e fundit parlamentare. Gjatë takimit të së premtes në mbrëmje, ai deklaroi se partia do të pozicionohet si “opozitë shtetformuese”, ndërsa në aktivitet morën pjesë edhe ish-kryeministrja Ana Bërnabiç, deputetë dhe familjarë të tij.

Momenti që tërhoqi vëmendjen ishte kur Vuçiç mori mikrofonin dhe këndoi këngën nacionaliste serbe “Vidovdan”, e cila lidhet me narrativën historike serbe për Kosovën dhe Betejën e vitit 1389. Gjatë interpretimit, ai këndoi vargje që i referohen Kosovës si pjesë e identitetit dhe shpirtit serb. “Kudo që të shkoj, përsëri tek ti kthehem. Kush mund të ma shkëpusë Kosovën nga shpirti im?”, janë disa nga vargjet e kënduara nga Vuçiç.

Kënga “Vidovdan”, e krijuar në vitin 1989, është shndërruar ndër vite në një simbol të nacionalizmit serb dhe përdoret shpesh në tubime politike për të mobilizuar elektoratin nacionalist. Interpretimi i saj nga Vuçiç në këtë aktivitet riktheu në vëmendje retorikën e tij për Kosovën, në një moment kur partia e tij po përpiqet të përcaktojë rolin e ri në skenën politike serbe.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit