Vjosa, aventurë edhe në nëntor. Turistët sfidojnë rrjedhën e lumit, siguria mbetet parësore
Vjeshta nuk e ka zbehur dëshirën për aventurë në lumin Vjosa. Edhe në ditët e para të nëntorit, rrjedha e lumit të egër vijon të tërheqë turistë të apasionuar pas natyrës dhe sporteve ujore, duke e kthyer këtë destinacion në një zgjedhje të preferuar edhe përtej sezonit tradicional turistik.
“Rafting ishte i mrekullueshëm sepse mundëm të shihnim se si lumi rrjedh natyrshëm kur ka hapësirën e nevojshme. Gjatë udhëtimit në lum morën shpjegimet e duhura nga guida për historinë e zonës”, tha një turist.
“Në Gjermani nuk kemi zona të tilla kaq të egra dhe të vështira për t’u arritur. Është një ndjesi sikur kthehesh pak tek rrënjët”, u shpreh një turiste.
Por pas emocioneve që ofron aventura ujore, një element mbetet i panegociueshëm, siguria. Përgatitja dhe respektimi i rregullave janë pjesë e pandashme e çdo turi.
“Standardet janë kryesoret edhe siguria e para. Duhet të jenë pajisjet e duhura, certifikimi ehe përvoja. Nuk duhet të tolerojmë as te pjesa se lumi tani është i qetë. Lumi gjithmonë është i rrezikshëm. Jemi mbi ujë”, tha Robert Tabaku, operator turizmi.
Vjosa dëshmon kështu se bukuritë e saj nuk kanë një sezon të përcaktuar. Edhe në nëntor, ajo vijon të jetë një ftesë e hapur për aventurë, duke sjellë vizitorë që kërkojnë të zbulojnë natyrën përmes emocioneve dhe përjetimeve ndryshe.
Gazetare Leonida Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




