Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Bukuresht me ministrin rumun të Ekonomisë, Digjitalizimit, Sipërmarrjes dhe Turizmit, Daniel-Cătălin Zamfir, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe teknologjik mes dy vendeve.
Gjatë bisedimeve, Hoxha theksoi potencialin ende të pashfrytëzuar për rritjen e shkëmbimeve tregtare, tërheqjen e investimeve dhe zgjerimin e partneriteteve mes bizneseve shqiptare dhe rumune.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, ministri bëri të ditur se palët identifikuan mundësi konkrete bashkëpunimi në teknologjinë e informacionit, shërbimet digjitale, industrinë prodhuese dhe turizmin.
Sipas Hoxhës, synimi është që ky potencial të përkthehet në rezultate konkrete përmes një agjende të dedikuar biznesi për vitin 2027, angazhimit të drejtpërdrejtë mes kompanive (B2B) dhe krijimit të partneriteteve me përfitime për të dyja ekonomitë.
Gjatë vizitës në Bukuresht, ministri Hoxha zhvilloi gjithashtu takime me ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Dan Neculăescu, dhe ministrin e Investimeve dhe Projekteve Evropiane, Alexandru-Mihai Ghigiu, ku në fokus ishte mbështetja teknike rumune për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.


