Bota

Kërcënime me bombë në 35 fluturime në Europë, ja kush dyshohet se fshihet!

Në Europë, 35 fluturime janë përballur me kërcënime për bomba në vetëm tri ditë ndërsa gjurmët e dyshimeve të çojnë drejt Rusisë. Agjencitë e Inteligjencës po punojnë për të zbuluar se kush qëndron pas e-maileve anonime, që detyruan disa avionë të ndryshonin itinerarin ose të ndërprisnin lëvizjet në aeroporte.

Sipas “Financial Times”-it, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që aktivistë pro-rusë ose grupe hakerësh me lidhje me Kremlinin të kenë orkestruar një fushatë kërcënimesh të rreme, me qëllim shkaktimin e çrregullimeve dhe alarmit në mbarë Europën.

Por, për momentin nuk ka prova të mjaftueshme për t’ia atribuar përgjegjësinë Moskës e as nuk është konfirmuar ndonjë përfshirje e shërbimeve sekrete ruse.

35 fluturime të prekura në tri ditë

Përmasat e kësaj situate emergjente janë bërë të ditura nga Eurocontrol, që koordinon menaxhimin e trafikut ajror. Mes 3 dhe 6 nëntorit u raportuan kërcënime për bomba në 35 fluturime:

7 më 3 nëntor; 14 më 5 nëntor dhe 14 të tjera më 6 nëntor, ndonëse shifra e fundit mbetet paraprake.

Edhe pse kërcënimet shkaktuan vështirësi në disa linja, nuk patën ndikim të ndjeshëm në përpikmërinë e përgjithshme të fluturimeve në Europë. Dje, incidentet prekën vetëm 0,047% të rreth 29.550 fluturimeve që operuan në rrjetin kontinental. Eurocontrol vazhdon ta monitorojë situatën, në koordinim me kompanitë ajrore dhe autoritetet e aeroporteve.

Lidhja ruse dhe e-mail/et anonime

Sipas “Financial Times”-it, disa zyrtarë të Inteligjencës e konsiderojnë origjinën ruse si një nga hipotezat më të besueshme, bazuar në metodat e përdorura, precedentët e mëparshëm dhe provat fillestare të mbledhura.

Dyshohet se pas kërcënimeve mund të qëndrojnë grupe aktivistësh pro-rusë ose hakerë të angazhuar në operacione destabilizimi, pjesë e asaj që njihet si “luftë hibride”.

Veprime që synojnë krijimin e çrregullimit dhe presionit, pa pasur nevojë për një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak.

E-mail/et janë dërguar nga llogari anonime e nga vendndodhje të ndryshme.