Dhjetë protestues janë gjobitur me nga 5 mijë lekë të reja secili, pasi bllokuan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Sipas Policisë, pavarësisht thirrjeve të përsëritura përmes megafonit për lirimin e rrugës, protestuesit nuk iu bindën kërkesave të efektivëve dhe vijuan të pengonin qarkullimin.
Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, policia plotësoi 10 procesverbale për kundërvajtje administrative, duke vendosur për secilin prej tyre gjobën prej 5 mijë lekësh.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, sipas të dhënave të bëra publike nga policia, pas hyrjes në fuqi të aktit normativ janë gjobitur gjithsej 105 persona për shkelje të ndryshme gjatë protestave. Masat administrative parashikojnë gjoba nga 5 mijë deri në 500 mijë lekë të reja, në varësi të shkeljes së konstatuar.


