Lajmi i fundit

Protesta kombëtare, opozita në mbështetje të studentëve

‘Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës’/ Bardeli: Rama të japë dorëheqjen, qytetarët janë në shesh

11:57, 07/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në Syri TV, deputetja e Partisë Demokratike për qarkun Shkodër, Greta Bardeli, deklaroi se protesta është një reagim qytetar kundër 13 viteve të keqqeverisjes së Edi Ramës.

Bardeli theksoi se në shesh nuk janë vetëm demokratët, por studentët, pedagogët, mësuesit, nxënësit dhe qytetarë nga të gjitha shtresat, të cilët kërkojnë largimin e kryeministrit.

Ajo akuzoi qeverinë për korrupsion dhe inkriminim të institucioneve, ndërsa e cilësoi kontradiktore thirrjen e Ramës për dialog, duke kujtuar se qytetarët kanë protestuar vazhdimisht dhe kanë kërkuar dorëheqjen e tij, si dhe shfuqizimin e katër ligjeve që kanë sjellë degradimin e institucioneve dhe të shtetit shqiptar.

Pjesë nga intervista:

Ta nisim fillimisht me një saktësim të vogël: Partia Demokratike nuk është në thirrjen e saj të tretë për protestën.

Partia Demokratike ka 13 vite që u bën thirrje qytetarëve të Shqipërisë që të protestojnë kundër kësaj keqqeverisjeje, kundër Edi Ramës.

Angazhimi, nga njëra anë, është gjithmonë përkrah qytetarëve shqiptarë, por sot ne jemi edhe përkrah studentëve, të cilët me të drejtë kanë muaj që protestojnë në këtë shesh dhe me të drejtë ata kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës.

Por le të themi atë që është më e vërteta: arsyet se pse jemi ne këtu, ne si shqiptarë, jo vetëm përfaqësues të Partisë Demokratike, por edhe qytetarë të thjeshtë, simpatizantë tanë, por edhe studentë, mësues, nxënës, pedagogë, minatorë, çdokush sot është bërë pjesë e kësaj proteste, sepse kjo keqqeverisje është në grahmat e saj të fundit dhe, për arsye të inkriminimit që i ka bërë institucioneve, korrupsioni kriminal që ka ndërtuar në këto 13 vite shqiptarëve tashmë u ka ardhur në majë të hundës kjo keqqeverisje. Prandaj sot ata derdhen të shumtë në shesh për të protestuar.

Për sa i përket Edi Ramës, ai, siç ju e shikoni tashmë, është kthyer në një fantazmë, një kryeministër që nuk ka mënyrë tjetër se si të komunikojë me qytetarët e vet, veçse u kërkon që të dialogojë. Por ku ishte ky kryeministër kur qytetarët e shumtë ishin në shesh 13 vite më parë? Ku ishte ky kryeministër kur, para 4 muajsh, qytetarët u ndalën përballë zyrës së tij dhe kërkuan dorëheqjen e tij, shfuqizimin e 4 ligjeve famëkeqe që sollën sot këtë degradim të institucioneve dhe shtetit shqiptar?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco