Drejtori i Përgjithshëm Skender Hita takon dhe falënderon punonjësit e Policisë të dëmtuar në krye të detyrës: Sakrifica dhe përkushtimi juaj meritojnë respektin e qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ishte në Malësinë e Madhe, ku takoi dhe falënderoi dy punonjësit e Policisë, inspektorët Hilmi Smajlaj dhe Samet Bajri, të cilët shërbejnë në Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe u dëmtuan me thikë gjatë ndërhyrjes për ndalimin e një shtetasi gjerman, në fshatin Pjetroshan, pas njoftimit se kishte sulmuar me benzinë automjetin e një qytetari.
Drejtori Hita: “Dua t’ju përgëzoj për guximin, profesionalizmin dhe vendosmërinë që treguat në përmbushjen e detyrës, në një situatë me rrezik të lartë për jetën tuaj dhe të qytetarëve. Pavarësisht se u plagosët gjatë ndërhyrjes, ju nuk u tërhoqët dhe arritët të neutralizonit personin, duke parandaluar pasoja edhe më të rënda. Për këtë keni gjithë vlerësimin dhe mirënjohjen time, por ju siguroj se keni fituar edhe vlerësimin e qytetarëve, besimi i të cilëve është shumë i rëndësishëm në misionin tonë. Ju inkurajoj juve dhe gjithë trupën policore që asnjëherë të mos tërhiqen përballë vështirësive, por të sakrifikojnë për të mirën e qytetarëve dhe të ligjit, sepse ky është misioni ynë.”
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm vizitoi në banesë punonjësin e Policisë, nënkomisar Fasli Rama, i cili u plagos gjatë protestës në Shkodër.
Drejtori i Përgjithshëm: “Gëzohem shumë, Fasli, që po të gjej më mirë, në përmirësim dhe drejt rikuperimit të plotë. Të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim për gjithë kontributin dhe sakrificën gjatë karrierës tënde, për më shumë se tre dekada në Polici. Askush s’do të donte ta mbyllte karrierën me një episod të tillë, por të jesh krenar, pasi nuk ishe aty kundër qytetarëve dhe as kundër protestës paqësore, por për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të mbrojtur institucionet, pronën publike e private nga çdo akt dhune.
Faleminderit ty dhe të gjithë punonjësve të Policisë që, me përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri, vijoni të përmbushni misionin tonë në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të ligjit. Të uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë në detyrë!”
Nënkomisar Fasli Rama: “Faleminderit, z. Drejtor, jo vetëm për këtë rast, por edhe për mbështetjen në vijimësi, sepse unë pata fatin të punoj me ju edhe më parë në DVP Shkodër. Falë mbështetjes dhe interesimit tuaj të vazhdueshëm, si dhe gatishmërisë e profesionalizmit të mjekëve të Spitalit të Traumës, tashmë jam më mirë dhe drejt rikuperimit të plotë. Faleminderit, Drejtor, që vlerësoni punonjësit e Policisë që sakrifikojnë për atdheun dhe qytetarët!”










