Pallati i dëmtuar rëndë nga shpërthimi dhe zjarri në Elbasan ndodhet në rrezik shembjeje. Alarmin e japin ekspertët e Institutit të Ndërtimit, të cilët kanë dorëzuar raportin paraprak të vlerësimit të gjendjes së godinës.
Sipas raportit, shpërthimi ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në strukturën e ndërtesës, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e saj.
Shqetësimi më i madh lidhet me soletën e katit të pestë, mbi zonën ku ndodhi shpërthimi. Sipas inxhinierëve, kjo pjesë e ndërtesës paraqet rrezik shembjeje nga momenti në moment.
Përballë kësaj situate, Instituti i Ndërtimit kërkon ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të pallatit dhe kufizimin e plotë të aksesit, deri në përfundimin e ekspertizës së detajuar.
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu vendosjen e një perimetri sigurie prej 20 deri në 30 metrash rreth godinës, për të shmangur rrezikun ndaj banorëve dhe kalimtarëve nga shembja e mundshme e pjesëve të dëmtuara.
Në raport theksohet se rreziku nuk kufizohet vetëm brenda ndërtesës, por përfshin edhe personat që mund të qëndrojnë në afërsi të saj.
Ndërkohë, ekspertiza përfundimtare pritet të përcaktojë shkallën e dëmtimeve, nivelin e sigurisë së pallatit dhe ndërhyrjet që do të nevojiten për të ardhmen e objektit.


