Kompania “Salillari” është gjobitur nga Dogana e Durrësit me 5.1 milionë euro për shmangien e taksave mbi naftën. Në vendimin Nr. 626, autoritetet kanë përcaktuar një borxh doganor të krijuar nga shkelja e procedurave për mbi 1.32 milionë kilogramë karburant, të deklaruar sipas regjimit të përjashtimit nga taksat të NATO-s.
Dokumentet zyrtare të siguruara gjatë hetimit doganor në Sektorin e Porto Romanos tregojnë se “Salillari” dispononte autorizimin e përjashtimit Nr. 14695. Ai i mundësonte kompanisë të importonte materiale të destinuara vetëm për ndërtimin e Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë, pa paguar TVSH, akcizë dhe detyrime doganore.
Të lidhura
None found
Nga inspektimet në terren dhe shqyrtimi i të dhënave në sistemin kompjuterik Asycuda, audituesit konstatuan mungesën e një kërkese specifike përjashtimi, të miratuar nga Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA), për 1,3 milionë kg naftë “diesel” 10ppm.
Meqë ky dokument autorizues nuk ishte paraqitur gjatë zhdoganimit, dogana e trajtoi sasinë përkatëse si “mall në qarkullim të lirë”, të përfshirë në mënyrë të pasaktë në regjimin e përjashtimit.

Në ankimimet administrative, përfaqësuesit e kompanisë kundërshtuan vlefshmërinë e procedurave doganore, me argumentin se malli përfshihej në marrëveshjen kuadër mes Shqipërisë dhe NATO-s. Ata nuk pranuan të firmosnin procesverbalin, ndërsa Dogana e rrëzoi pretendimin e tyre.
Për detyrimet e pashlyera, përllogaritja fillestare e doganës arriti në 156 milionë lekë. Kjo shumë përbëhej nga 60.4 milionë lekë akcizë, 48 milionë lekë TVSH, 42.7 milionë lekë taksë qarkullimi dhe 4.7 milionë lekë taksë karboni.

Shkelja u cilësua kundërvajtje administrative doganore e kryer nga neglizhenca, sipas Nenit 252 për mosrespektimin e afateve dhe procedurave. Për këtë arsye, kompanisë iu vendos një penalitet sa 2-fishi i detyrimit të papaguar, në vlerën 312 milionë lekë. Së bashku me detyrimin fillestar, shuma që “Salillari” duhet të paguajë arrin në 468 milionë lekë, ose 5.15 milionë euro.






