Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria sekuestron 300 tonë pluhur industrial nga Uzina e Ferrokromit, AKM e cilësoi mbetje me rrezikshmëri të lartë


Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar mbi 300 tonë pluhur industrial të përftuar nga procesi i prodhimit në Uzinën e Ferrokromit, në pronësi të kompanisë koncesionare Albchrome.

Materiali është marrë në cilësinë e provës materiale, në kuadër të hetimeve për administrimin dhe trajtimin e mbetjeve industriale.

Sipas dokumenteve zyrtare të Prokurorisë, bëhet fjalë për rreth 300 tonë mbetje të grumbulluara nga sistemi i posaçëm i kapjes së pluhurit gjatë procesit industrial.

Për shkak të sasisë së konsiderueshme, është vendosur që ato të qëndrojnë të ruajtura pranë subjektit Albchrome sh.p.k., i cili ka detyrimin ligjor për mirëmbajtjen dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe për t’ia vënë në dispozicion organit të akuzës sa herë të kërkohet.

Çështja doli në pah më 28 maj, kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pezulloi aktivitetin e kompanisë. Gjatë kontrolleve u konstatuan 318 tonë mbetje të rrezikshme, të cilat, sipas autoriteteve, ruheshin pa përmbushur kushtet e nevojshme të sigurisë.

Një tjetër problem i evidentuar ishte mungesa e kontratave për transferimin, evadimin, asgjësimin apo përpunimin e kësaj sasie mbetjesh.

Edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit i ka kushtuar vëmendje çështjes. Në raportin e saj, AKM i ka cilësuar këto materiale si mbetje shumë të rrezikshme, duke ngritur shqetësime serioze për natyrën e pluhurit të grumbulluar nga sistemi i kapjes së emetimeve gjatë prodhimit të ferrokromit.

Sekuestrimi i mbi 300 tonëve përbën një tjetër zhvillim në hetimin e Prokurorisë së Elbasanit, e cila po shqyrton mënyrën e administrimit, depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve, si dhe përgjegjësitë përkatëse për respektimin e legjislacionit mjedisor dhe mbrojtjen e shëndetit publik.