Policia e Kosovës ka raportuar 7 raste të dhunës në familje më 6 nëntor, në disa qytete të vendit, ku janë arrestuar gjithsej 10 persona.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rastet kanë ndodhur në Fushë Kosovë, Prishtinë, Drenas, Kaçanik, Pejë dhe Rahovec.

Në Fushë Kosovë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur familjarët e tij. Policia ka njoftuar se i dyshuari ka probleme të shëndetit mendor. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë, një tjetër burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-partneres, me të cilën ka 2 fëmijë. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Drenas, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes pas një mosmarrëveshjeje.

Në Kaçanik, policia ka arrestuar një person të dyshuar për dhunë në familje, lëndim të lehtë trupor dhe dëmtim të pasurisë. Ai është dërguar në mbajtje për 24 orë.

Dy raste janë regjistruar në Pejë. Në njërin rast, 1 burrë dhe 3 gra janë arrestuar pas një përleshjeje mes tyre. Njëra nga gratë ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa vetëm burri është dërguar në mbajtje. Tri gratë janë liruar në procedurë të rregullt.
Në rastin tjetër në Pejë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj familjarëve dhe ka dëmtuar disa orendi shtëpiake.

Në Rahovec, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur prindin e tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Sipas raportit policor, nga 10 personat e arrestuar në këto raste, 7 janë dërguar në mbajtje, ndërsa 3 janë liruar në procedurë të rregullt.