Nis protesta, demokratët dalin nga selia e PD dhe nisen drejt Kryeministrisë, mungon Berisha

Deputetë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike kanë nisur marshimin nga selia blu në drejtim të Kryeministrisë, për protestën e radhës kundër qeverisë.
Në krye të lëvizjes që la selinë blu janë parë sekretari i përgjithshëm Flamur Noka dhe nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, të shoqëruar nga deputetë të tjerë të kësaj force politike.
Ashtu si edhe në tubimet e tjera, kreu i PD Sali Berisha nuk është i pranishëm në terren.
Sakaq studentë e pedagogë, por edhe qytetarë po mblidhen në protestë para Ministrisë së Arsimit, në vijim të tubimeve të javëve të fundit ku kërkohet ndryshimi i klasës politike, dorëheqja e qeverisë dhe masa për kushtet e strehimit dhe arsimimit.
Protestuesit janë grumbulluar në zonën përpara Ministrisë së Arsimit në manifestim të qetë, ndërsa protestat e pak ditëve më parë u përshkallëzuan në akte dhune ndaj institucioneve dhe përplasje me policinë.
Protestuesit janë grumbulluar në qendër të Rrugës së Durrësit, ndërsa qarkullimi i automjeteve në këtë aks është devijuar për shkak të zhvillimit të protestës.
Përpara godinës së Ministrisë së Arsimit ndodhen efektivë policie, të cilët kanë formuar një kordon.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës.
Në kuadër të këtyre masave, pranë Kryesisë së Kuvendit është pozicionuar edhe autoboti i ujit, ndërsa forcat e rendit janë angazhuar për monitorimin e situatës dhe ruajtjen e rendit publik.
Studentët kanë njoftuar se në orën 14:00 do të zhvendosen përpara Kryeministrisë.




