Inspektorati i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë dhe Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, që synon forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe përmirësimin e sistemeve të inspektimit në të dy vendet.
Marrëveshja është nënshkruar nga Dashnor Sula dhe Lyra Osmani Ahmeti, të cilët janë angazhuar për thellimin e bashkëpunimit përmes shkëmbimit të ekspertizës, praktikave më të mira dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale.
Bashkëpunimi mes dy institucioneve do të përqendrohet në harmonizimin e metodologjive dhe praktikave të inspektimit, shkëmbimin e ekspertëve dhe përvojave profesionale, si dhe në digjitalizimin dhe modernizimin e proceseve inspektuese.
Në kuadër të marrëveshjes parashikohen gjithashtu trajnime dhe programe të vazhdueshme për zhvillimin profesional, si dhe realizimi i projekteve dhe iniciativave të përbashkëta.
Sipas institucioneve nënshkruese, kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të standardeve, rritjes së efikasitetit dhe zhvillimit të sistemeve moderne të inspektimit në Shqipëri dhe Kosovë.


