Bota

I bleu makinën pensionistes për 700 euro dhe e shiti për 3,250, përfundon para…

Një ngjarje e pazakontë ka përfunduar në gjykatën e qytetit Caen, në Francë, pasi një 25-vjeçar bleu për vetëm 700 euro automjetin Citroën C3 të një pensionisteje dhe më pas e rishiti për një shumë shumëfish më të lartë.

Ngjarja ndodhi në janar 2025, në Verson, ku një grua e moshuar, pas humbjes së bashkëshortit, përballej me probleme të kujtesës dhe vështirësi në kryerjen e veprimeve të përditshme.

I riu, partneri i gruas që ndihmonte pensionisten me punët e shtëpisë, dyshohet se shfrytëzoi gjendjen e saj për t’i blerë automjetin, duke i vendosur mbi tavolinë 700 euro në kartëmonedha. Pak kohë më vonë, ai ia shiti makinën një tregtari për 3,250 euro, ndërsa automjeti përfundoi te një blerës tjetër për 6,990 euro.

Rasti u zbulua pasi punonjësja sociale e pensionistes njoftoi xhandarmërinë, e shqetësuar për mënyrën se si ishte realizuar shitja. Gjatë hetimeve rezultoi se e moshuara nuk ishte në gjendje të kuptonte plotësisht pasojat e transaksionit. Ajo mori gjithashtu një gjobë për tejkalim shpejtësie, megjithëse prej kohësh nuk drejtonte automjetin.

Në seancën gjyqësore të 12 shkurtit 2026, prokuroria kërkoi nga 8 deri në 10 muaj burg për të akuzuarin, i cili nuk u paraqit në gjykatë dhe kishte precedentë penalë. Gjykata vendosi një dënim me 180 gjoba ditore, nga 20 euro secila, me vlerë totale 3,600 euro.

I riu u detyrua gjithashtu t’i paguajë pensionistes 5,300 euro për dëmin material, 1,000 euro për dëmin moral dhe 800 euro për shpenzimet e avokatit. Çështja e raportuar, nxjerr në pah rrezikun e shfrytëzimit financiar të personave të moshuar në situata vulnerabiliteti.