Në një intervistë për televizionin polak TVP World, në emisionin World Talks, deputetja e pavarur Marjana Koçeku foli për krizën e përfaqësimit politik në Shqipëri, pengesat që sistemi zgjedhor u krijon lëvizjeve të reja dhe kandidatëve të pavarur, si dhe protestat e të rinjve kundër qeverisjes.

Koçeku theksoi se korrupsioni në Shqipëri është shumë më i thellë sesa duket në pamje të parë, duke e cilësuar si rrënjën e mosfunksionimit të institucioneve, ligjeve klienteliste dhe përqendrimit të pushtetit në pak duar. Sipas saj, reforma e Kodit Zgjedhor është një prej hapave themelorë për ndryshimin e sistemit, pasi cilësia e përfaqësimit në Kuvend përcakton edhe cilësinë e ligjeve, ndryshimeve kushtetuese dhe drejtimit të institucioneve kryesore të vendit.

Deputetja foli gjithashtu për vendimin e saj për t’u larguar nga mazhoranca qeverisëse dhe për të vijuar mandatin si e pavarur, duke e lidhur këtë vendim me përgjegjësinë për të përfaqësuar qytetarët dhe jo interesat e pushtetit.

Në fokus të intervistës ishin edhe protestat studentore dhe qytetare, kërkesat e të rinjve për demokraci, dinjitet dhe llogaridhënie, si dhe nevoja që pakënaqësia shoqërore të gjejë përfaqësim real politik dhe institucional. Mesazhi kryesor i Koçekut ishte se ndryshimi demokratik në Shqipëri kërkon jo vetëm ndryshimin e qeverisë, por edhe reformimin e mënyrës se si prodhohet dhe ushtrohet pushteti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: