Franca ka vendosur në gatishmëri 70 mijë efektivë policie dhe xhandarë në të gjithë territorin, ndërsa autoritetet përgatiten për një valë të re protestash të paralajmëruara për këtë të shtunë. Institucionet kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e përplasjeve, bllokimeve të rrugëve dhe dëmtimit të pronës gjatë tubimeve.
Masat e sigurisë u njoftuan të premten nga ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, gjatë një konference për shtyp, ndërsa deklarata përkatëse u publikua nga ministria të shtunën.
Sipas autoriteteve franceze, një pjesë e konsiderueshme e thirrjeve për protesta po organizohen jashtë strukturave formale drejtuese dhe pa mbikëqyrjen e sindikatave. Disa prej tyre shoqërohen me mesazhe në rrjetet sociale që nxisin dhunë dhe përçarje.
Në kuadër të masave parandaluese, autoritetet kanë vendosur ndalimin e demonstratave në disa zona të caktuara të qyteteve, ndërsa organizatorëve të tubimeve të autorizuara u është kërkuar të ndjekin itinerare alternative.
Operacioni i sigurisë përfshin 110 njësi të forcave të lëvizshme, 25 automjete të blinduara të tipit Centaur, topa uji, helikopterë dhe dronë. Gjithashtu, policia do të kryejë kontrolle në rrugë, në linjat hekurudhore dhe në stacione, me qëllim sekuestrimin e sendeve të rrezikshme që mund të përdoren si armë.
Sipas raportimeve të gazetës “Le Monde”, disa tubime janë planifikuar në qytete të ndryshme të Francës. Në Paris, grupet studentore dhe sindikale pritet të zhvillojnë demonstrata në itinerarin mes Place de la République dhe Place de la Nation.
Ndërkohë, lëvizja e Jelekëve të Verdhë ka paralajmëruar një grumbullim në Place de la Concorde.
Ministria e Brendshme ka deklaruar se do të garantojë të drejtën për protesta paqësore, por ka paralajmëruar një reagim të fortë ndaj personave që përfshihen në akte dhune dhe plaçkitje, duke theksuar se ata do të arrestohen.
Mobilizimet studentore janë përhapur në disa zona të Francës gjatë javëve të fundit, ku protestuesit kanë bllokuar institucione arsimore dhe kanë ngritur shqetësime lidhur me kushtet dhe burimet në sistemin arsimor.
Këto zhvillime vijnë pas ditës kombëtare të protestave më 5 nëntor, gjatë së cilës, sipas Ministrisë së Brendshme franceze, u regjistruan 575 mijë pjesëmarrës në 193 tubime në të gjithë vendin, mes tyre 65 mijë vetëm në Paris.


