Lajmi i fundit

Protesta kombëtare, opozita në mbështetje të studentëve

Hakerët pro-rusë vendosin në shënjestër Antonio Tajani-n, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian: Nuk do të frikësohem

Hakerët pro-rusë vendosin në shënjestër Antonio Tajani-n, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian: Nuk do të frikësohem

13:44, 07/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Të dhënat personale të kreut të diplomacisë italiane janë publikuar në Dark Web, ndërsa hakerët kërkojnë informacione edhe për familjarët e tij. Tajani e lidh sulmin me qëndrimin e Italisë në mbështetje të Ukrainës. Meloni shpreh solidaritetin: Çështja duhet trajtuar me vendosmërinë maksimale.

Një sulm kibernetik ndaj një prej figurave më të rëndësishme të qeverisë italiane ka ngritur shqetësime për sigurinë e institucioneve dhe zyrtarëve të lartë të vendit. Antonio Tajani, zëvendëskryeministër i Italisë dhe ministër i Punëve të Jashtme, ka bërë të ditur se prej disa ditësh hakerë pro-rusë po publikojnë të dhënat e tij personale në Dark Web, ndërsa kërkojnë informacione të tjera për të dhe familjarët e tij.

Tajani, i cili mban njëkohësisht dy funksione të rëndësishme në ekzekutivin e kryeministres Giorgia Meloni, reagoi përmes një deklarate në rrjetin social X, duke paralajmëruar se nuk do të lejojë që kërcënimet të ndikojnë në punën dhe angazhimin e tij institucional.

“Kriminelë informatikë prej ditësh kanë publikuar të dhënat e mia personale në Dark Web dhe po kërkojnë informacione të tjera, duke më ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe intimidimeve të reja. Këto përfshijnë edhe familjen time. Ata janë të gatshëm të paguajnë për informacione të tjera rreth meje dhe njerëzve të mi të afërt”, deklaroi Tajani.

“Reagimi im është shumë i thjeshtë, unë nuk do të frikësohem në asnjë mënyrë. Do të vazhdoj të punoj për të mbrojtur ministrinë time dhe Italinë. Do të forcoj gjithnjë e më shumë lidhjet dhe bashkëpunimin me aleatët tanë, në mënyrë që të mbrohemi së bashku”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm italian e lidh motivimin e sulmeve me qëndrimin politik të qeverisë së Romës në mbështetje të Ukrainës, e cila prej vitesh përballet me agresionin rus.

“Qëndrimi ynë për Ukrainën është arsyeja politike për të cilën jam vënë në shënjestër. Mbrojtja e lirisë së një shteti sovran dhe pozicionimi i qartë në favor të demokracisë dhe pavarësisë së një kombi konsiderohen të rrezikshme nga këto struktura kriminale”, u shpreh Tajani.

Sipas tij, aktiviteti i hakerëve mund të jetë gjithashtu një reagim ndaj masave të ndërmarra gjatë muajve të fundit nga Ministria e Jashtme italiane për të forcuar mbrojtjen kibernetike të institucioneve.

“Veprojnë si reagim ndaj aktiviteteve që prej muajsh kemi ndërmarrë për të mbrojtur sigurinë informatike të Ministrisë së Jashtme”, u shpreh ai.

Tajani bëri të ditur se në Ministrinë e Jashtme italiane është krijuar që prej 1 janarit një drejtori e posaçme për sigurinë kibernetike.

Struktura e re ka për qëllim mbrojtjen e institucioneve nga ndërhyrjet dhe sulmet informatike, veçanërisht ato që mund të vijnë nga aktorë të lidhur me struktura shtetërore armiqësore ndaj Italisë.

“Në Ministri po punojmë seriozisht kundër këtyre kërcënimeve. Kam krijuar që prej 1 janarit një drejtori kibernetike për të na mbrojtur nga ndërhyrjet informatike të subjekteve që shpesh janë të lidhura në një mënyrë apo në një tjetër me entitete shtetërore armiqësore ndaj nesh. Jemi në veprim dhe të lidhur me aleatët tanë”, deklaroi ministri.

Ai nënvizoi se Italia do të vazhdojë të investojë në sigurinë kibernetike dhe në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë sigurinë tonë dhe të mbrohemi nga kriminelët informatikë, me bindjen se kjo është mënyra e duhur për të mbrojtur popullin italian dhe vendin tonë”, përfundoi Tajani.

Pas publikimit të lajmit, kryeministrja italiane Giorgia Meloni reagoi duke shprehur mbështetjen e plotë për Tajani-n dhe duke dënuar aktivitetin e hakerëve pro-rusë.

“Shpreh solidaritetin tim të plotë me zëvendëskryeministrin Antonio Tajani për atë që është bërë e ditur lidhur me aktivitetin e hakerëve pro-rusë dhe publikimin në Dark Web të të dhënave personale që e përfshijnë atë. Shitja e informacioneve konfidenciale për përfaqësues të institucioneve shkakton shqetësim të madh dhe duhet trajtuar me vendosmërinë maksimale”, deklaroi Meloni.

Kryeministrja ngriti gjithashtu shqetësimin për qarkullimin e imazheve të rreme, të cilat sipas saj janë shpërndarë edhe nga përfaqësues të opozitës. “Po aq shqetësuese është edhe qarkullimi i imazheve të rreme, të shpërndara edhe nga përfaqësues të opozitës. Liria e shprehjes nuk mund të kthehet kurrë në terren për dezinformim”, theksoi ajo.

Rasti i Tajani-t nuk është një incident i izoluar. Në shënjestër të aktivitetit të hakerëve janë vendosur edhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë. Mes emrave të përmendur janë prokurori i Romës, Francesco Lo Voi, dhe drejtuesi i Policisë Postare italiane, Ivano Gabrielli. Në raportime përmendet gjithashtu kryetari i bashkisë së Avianos. Sipas raportimeve, grupi i hakerëve pro-rusë NoName057(16) ka publikuar ose ka kërkuar informacione personale për persona të konsideruar prej tyre kundërshtarë të Federatës Ruse. Përmes një platforme në Dark Web, të quajtur “Tribunali”, pretendohet se është vendosur edhe një shpërblim për ata që mund të sigurojnë informacione të tjera për personat e shënjestruar.

Informacionet e kërkuara mund të përfshijnë të dhëna kontakti dhe të dhëna të tjera personale, duke rritur rrezikun e kërcënimeve dhe intimidimit ndaj zyrtarëve dhe familjarëve të tyre.

Tajani ka konfirmuar se nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij dhe se Italia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, ndërsa do të forcojë bashkëpunimin me aleatët për t'u përballur me kërcënimet kibernetike. “Ne nuk do të frikësohemi”, është mesazhi i ministrit të Jashtëm dhe zëvendëskryeministrit italian, në një moment kur siguria e institucioneve dhe e përfaqësuesve të tyre është kthyer në një çështje me rëndësi të veçantë për Italinë dhe partnerët e saj europianë./A. Kepi - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco