“Arresto Berishën” dhe “Poshtë komunistët” ishin disa nga thirrjet e protestuesve para Ministrisë së Arsimit, ku mbërritja e militantëve të Partisë Demokratike u shoqërua me kundërshtime dhe përplasje.
Protestuesit refuzuan sërish të bashkoheshin me demokratët, duke u kërkuar atyre të largoheshin me thirrjet “Ik, ik, ik!”. Gjatë tubimit u dëgjuan gjithashtu thirrjet “Poshtë sekretari i partisë”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Vdekje tradhtarëve”.
Përplasjet mes protestuesve dhe militantëve të PD-së u shoqëruan edhe me akuza ndaj kësaj force politike, të cilën pjesëmarrësit e akuzuan se po përpiqej të merrte nën kontroll protestën.
“Këta duan të rrëmbejnë protestën si në ’90. Ne jemi kundër klasës së vjetër politike, Ramës dhe Berishës”, u shpreh një prej protestuesve, i cili më pas u shty nga militantët e PD-së.
I njëjti protestues sqaroi se kundërshtimi i tyre është ndaj deputetëve të Partisë Demokratike dhe jo ndaj demokratëve si individë.


