Financimi i pamjaftueshëm i shëndetësisë publike, largimi e kuadrit mjekësor, qasja e parababartë në shërbimet shëndetësore dhe kontrolli i pamjaftueshëm i duhanpirjes në hapësira të mbyllura janë disa nga vërejtjet e Komisionit Evropian në Raportin e fundit për përparimin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2026.

Në dokument theksohet edhe se vendi ende nuk ka miratuar strategji për mbrojtjen e konsumatorëve, e as nuk ka vendosur platformë adekuate në internet për informimin e tyre.


Shëndetësia në Maqedoni vazhdon të përballet me probleme serioze strukturore, ndërsa qytetarët nga xhepi i tyre mbulojnë deri në 42 përqind të shpenzimeve shëndetësore, gjë që është pengesë e konsiderueshme për qasje të barabartë në mbrojtje shëndetësore. Kjo është theksuar në Raport në pjesën që i kushtohet mbrojtjes së konsumatorëve dhe shëndetit publik, të përfshirë në Kapitullin 28.

Sipas KE-së, edhe pse në vitin 2025 ka vazhduar rritja e lehtë e parave të destinuara për shëndetësinë publike, financimi edhe më tej mbetet larg mesatares së BE-së.

“Mbrojtja shëndetësore universale sigurohet pa pagesë përmes shëndetësisë primare, por pacientët duhet të paguajnë për shërbime të caktuara spitalore, kontrolle specialistike dhe barna. Komisioni Evropian vlerëson se shtrirja dhe disponueshmëria e shërbimeve shëndetësore, sidomos atyre specialistike, si dhe shpërndarja e tyre gjeografike, janë joadekuate. Problem shtesë paraqet mungesa e kuadrit mjekësor, me ç’rast numri i infermiereve në 100.000 banorë mbetet nën mesataren evropiane“, thuhet në Raport.

Vazhdon largimi i punonjësve shëndetësorë nga sektori publik në atë privat, si dhe largimi i tyre për të punuar jashtë vendit. Komisioni thekson se sistemi shëndetësor në masë të madhe mbështetet në financimin privat, përmes pagesave direkte nga qytetarët dhe sigurimit vullnetar shëndetësor, gjë që i thellon më tej pabarazitë në qasjen në shërbime shëndetësore.

Posaçërisht shqetësuese janë gjetjet që kanë të bëjnë me sëmundjet malinje. KE konstaton se vitin e kaluar ka vazhduar rritja e numrit të rasteve të regjistruara me kancer, si dhe e shkallës së vdekshmërisë nga këto sëmundje. Edhe pse në vend zbatohen fushata skriningu për zbulimin e hershëm të kancerit të zorrës së trashë dhe kancerit të gjirit, në Raport thuhet se testimi për HPV ende nuk është vendosur si pjesë e skriningut për kancerin e qafës së mitrës.

KE e thekson nevojën për informim më të madh publik dhe përfshirjes së një pjese më të madhe të grupeve të synuara me kontrolle preventive. Në Raport theksohet edhe se mjetet e kufizuara buxhetore dhe mungesa e kuadrit mjekësor ndikojnë negativisht mbi politikat për shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Shteti vazhdon të zbatojë programe vjetore për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat përfshijnë zbulimin e hershëm të faktorëve të rrezikut, kontrolle preventive në shëndetësinë primare, edukim shëndetësor dhe përmirësim të diagnostikimit dhe mjekimit.

Pirja e duhanit në mjedise të mbyllura nuk ndëshkohetKE sërish e thekson zbatimin e pamjaftueshëm të masave për kontrollin e duhanit. Në Raport thuhet se Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ligj të ri për harmonizim shtesë me rregullat evropiane për produktet e duhanit, por paralajmërohet se zbatimi i tij do të paraqesë sfidë serioze.

“Pirja e duhanit vazhdon të tolerohet dhe të kalojë pa sankcione në hapësira të mbyllura, përfshirë këtu edhe në institucione publike, institucione të caktuara shëndetësore dhe restorante. Shqetësim shtesë shkakton përdorimi i gjerë i antibiotikëve, i cili kontribuon në zhvillimin e rezistencës antimikrobike, përkatësisht rezistencës së mikroorganizmave ndaj barnave që përdoren kundër tyre. Plani kombëtar akcionar për rezistencën antimikrobike për periudhën 2026–2028 nuk është miratuar ende “, thuhet në Raport.

Komisioni kërkon edhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me rregulloret evropiane për sëmundjet ngjitëse. Në Raport thuhet se vendi që nga viti 2016 dërgon të dhëna në sistemin evropian TESSy për disa sëmundje ngjitëse, mes të cilave gripi, HIV/SIDA, hepatiti A, gonorea, ethet e Nilit Perëndimor dhe COVID-19, si dhe disponon me sistem për zbulimin e hershëm të epidemive.
Qasja e parababartë në mbrojtje shëndetësore është një tjetër problem për të cilin flitet në Raportin e KE-së. Në të thuhet se qasja në shërbime shëndetësore është posaçërisht e kufizuar për gratë nga komunitetet rurale dhe të margjinalizuara. Thuhet se gratë ende raportojnë raste në të cilat gjinekologët amë u marrin para në mënyrë të paligjshme për shërbime që sipas sistemit të sigurimit shëndetësor duhet të jenë pa pagesë.

“Edhe pse janë të disponueshme programe preventive për zbulimin e kancerit të qafës së mitrës dhe kancerit të gjirit shfrytëzimi i tyre nuk është i barabartë mes grupeve të ndryshme të popullatës. Përpjekjet për zvogëlimin e pabarazive shëndetësore, sidomos te romët, personat që jetojnë në varfëri dhe popullata nga mjediset e largëta, vazhdojnë me mbështetje nga donatorët, por kanë efekt të kufizuar“, thuhet në Raport.

Nuk ka të dhëna të mjaftueshme nga institucionet shëndetësore privateNë pjesën mbi digjitalizimin e shëndetësisë KE konstaton se sistemi kombëtar për shëndetësinë elektronike mbledh të dhëna vetëm nga institucionet shëndetësore publike. Për shkak të mungesës së informacioneve nga institucionet shëndetësore private dosjet shëndetësore të pacientëve mbeten të paplota.

Edhe pse aplikacioni elektronik shëndetësor funksionon në Raport thuhet se nevojiten përmirësime shtesë në sistemin për caktimin e kontrolleve. Në Raport konstatohet edhe se nuk ka përparim në fushën e gjakut, qelizave, indeve dhe organeve, ndërsa legjislacioni kombëtar ende nuk është harmonizuar me rregullat evropiane për të drejtat e pacientëve gjatë mjekimit ndërkufitar.
Nuk janë vënë re arritje të reja as në fushën e barnave për përdorim human dhe veterinar, vlerësimit të teknologjive shëndetësore, produkteve kozmetike dhe pajisjeve mjekësore.

KE kërkon përpjekje shtesë për parandalimin e korrupsionit në shëndetësi përmes planifikimit më të mirë të shpenzimeve shëndetësore, prokurimeve publike më transparente përmes përforcimit të integritetit, deklarimit të gjendjes pasurore dhe digjitalizimit.