
Punimet për ndërtimin e Urës së Bahçallëkut në Shkodër vijojnë me ritme të vazhdueshme, ndërsa një pjesë e rëndësishme e strukturës mbajtëse tashmë ka përfunduar.
Sipas njoftimit të kryeministrit Edi Rama, në kantier kanë përfunduar të dyja shpatullat e urës, si dhe katër nga pesë këmbët mbështetëse. Ndërkohë, vijon puna për përfundimin e strukturës së plotë të urës.
Përmes një postimi, Rama ka ndarë informacion mbi ecurinë e projektit, i cili synon të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe hyrjen në qytetin e Shkodrës.
Ura e re e Bahçallëkut konsiderohet një ndërhyrje e rëndësishme infrastrukturore për zonën, me ndikim në përmirësimin e lëvizjes dhe shmangien e vështirësive në qarkullimin drejt qytetit.