Ministri Blendi Gonxhja u takua me ambasadoren e Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi progresraportin për Shqipërinë.
Gonxhja tha se raporti vlerëson përparimin në kulturë dhe në mbrojtjen e së drejtës së autorit, ndërsa kapitulli i negociatave për arsimin dhe kulturën është mbyllur përkohësisht.
Për procesin e integrimit, ministri veçoi rekomandimin e Komisionit Europian që Këshilli të nisë në vitin 2027 përgatitjet për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Në takim u diskutua edhe investimi prej 6,25 milionë eurosh që BE-ja po mbështet në Parkun Arkeologjik Bylis–Klos.
Postimi i plotë i ministrit Gonxhja
Raporti i Progresit 2026 i Komisionit Evropian konfirmon arritje të rëndësishme në fushat e kulturës, rinisë dhe pronësisë intelektuale, duke vlerësuar pozitivisht reformat dhe përafrimin me standardet evropiane.
Me Ambasadoren e re të Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, diskutuam mbi projektet e përbashkëta, detyrat dhe prioritetet.
Kultura – Kapitulli 26: Mbyllje e përkohshme e kapitullit dhe vlerësim me progres të mirë, një arritje që reflekton angazhimin për zhvillimin e kulturës, bashkëpunimin evropian dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.
E drejta e autorit – Kapitulli 7: Progres i mirë në mbrojtjen e pronësisë intelektuale, me hapa konkretë për forcimin e të drejtave të krijuesve dhe përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së, me miratimin e Ligjit për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtave të lidhura me to.
Kapitujt 1 dhe 29: Vijojmë kontributin aktiv në procesin e negociatave për lëvizjen e lirë të mallrave dhe bashkimin doganor, veçanërisht për mbrojtjen dhe qarkullimin e pasurive kulturore, duke adresuar me prioritet detyrimet e mbetura.
Integrimi evropian është një mundësi për të forcuar institucionet, për të mbrojtur trashëgiminë, për të mbështetur krijimtarinë dhe për t’u hapur të rinjve shqiptarë horizonte të reja evropiane.
Rekomandimi më i rëndësishëm në Progres Raportin e këtij viti: “Komisioni Evropian ka rekomanduar që Këshilli të nisë, gjatë vitit 2027, përgatitjet për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”!
Konkretisht një vëmendje të veçantë i kushtuam Parkut Arkeologjik Bylis–Klos, ku Bashkimi Europian po mbështet një investim të rëndësishëm prej 6.25 milionë eurosh, që ndërthur ruajtjen e trashëgimisë kulturore me zhvillimin ekonomik të komunitetit lokal.
Falenderues për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian në realizimin e programeve dhe projekteve me ndikim konkret për vendin, për artin dhe krijimtarinë, trashëgimisë kulturore, rininë dhe sportet, si dhe mundësitë për nisma të reja që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e potencialit turistik të Shqipërisë.










Komente
Komento