
Tandemi i Edi Ramës dhe Sali Berishës do të jetë objekt i vazhdueshëm studimesh për njerëzit e komunikimit dhe mbase në të ardhmen edhe për studiuesit e filozofisë politike. Të aftë të thonë të kundërtën e asaj që shihet hapur dhe zhvillohet rëndom në vend, të pamundur për t’u dorëhequr edhe kur morali nuk u tregon rrugë shpëtimi, ata drejtojnë vendin në pozitë dhe opozitë pa u shqetësuar nga asgjë.
Kjo politikë nuk bëhet vetëm me akte dhe me rezultatet e zgjedhjeve apo me ligjet që prodhohen, por edhe me mënyrën sesi politika flet. Kjo është një fushë që studimi i etnografisë së komunikimit e ndriçon qartë në rastin shqiptar. Për të kuptuar këtë, duhet nisur nga vetë koncepti i etnografisë së komunikimit, i ndërtuar nga gjuhëtari, sociolinguisti, antropologu dhe folkloristi Dell Hathaway Hymes.
Me një ligj anemik partish dhe me fuqinë e madhe të Marrëveshjes së vitit 2008, ky tandem qëndron i plotfuqishëm dhe tejet efikas përpara çdo lloj sfide. Kjo përfshin edhe atë që ndodhi me “Revolucionin e Flamingove”, i cili u kanalizua tashmë me Revoltën e Studentëve. Në këtë situatë, të dy jo vetëm ua morën protestën, por tani drejtojnë edhe rregullat e komunikimit.
Merita e Hymes është se hodhi për herë të parë themelet disiplinore për studimin krahasues e etnografik të përdorimit të gjuhës, me hulumtime të bazuara në fenomenet e vërejtura te gjuhët e rajonit të Paqësorit Veriperëndimor. Ideja erdhi si sfidë ndaj Chomsky-it, që barazonte gjuhën me gramatikën, pra nëse kishe njohuri të mirë të saj, njeriu kishte aftësi të mësonte gjuhë.
Hymes argumentoi se njohja e gramatikës nuk mjafton, sepse duhet të dish dhe të kuptosh qartë konceptin që ai e emëroi si kompetenca komunikative: të dish se kur, ku, me kë, si dhe për çfarë duhet të flasësh. Me pak fjalë, etnografia e komunikimit studion jo çfarë thuhet, por si, kush, ku dhe çfarë nënkupton fjala në një moment të caktuar.
Falë këtij koncepti kuptohet sa e kanë përsosur Rama dhe Berisha artin e tyre të komunikimit, pasi ai shkon gjithnjë sipas interesave të tyre dhe nuk merr fare parasysh normat morale që kufizojnë, kërkojnë apo shprehin kufij etikë. Për të kuptuar pse kjo mënyrë funksionon, duhet parë edhe tradita e vjetër e komunikimit politik shqiptar.
Para se të funksiononte parlamenti shqiptar në vitet ’20, shqiptari e bënte politikën e vet në Odë dhe në Kuvendet e Burrave, ku një tufë ligjesh të sanksionuara në Kanun, por edhe në kujtesën popullore, caktonte rendin kanonik të fjalës. Prioritet kishte i pari i fisit, shpesh përfaqësuesi i parë i një familjeje që kishte bajrak, fliste miku dhe ai që kërkonte apo që jepte besë.
Kaq i kanonizuar ishte ky rend, saqë shmangia nga rregulli të penalizohe te rëndë, më së shumti me turpin, parimin për ruajtjen e nderit. Sot, kodi etnografik në politikën tonë e kryeson primati i PS-së ose PD-së, pasi është ai që ka prioritet në parlament, në studio dhe kudo, madje shpesh zgjedhin dhe të ftuarit.
Në parlamentin tonë abuzohet ende me fjalën e dhënë, por jo me dokumentin e programit, kontratën bazë që u kërkohet politikanëve. Besa, edhe pse përdoret lodhshëm, ka dalë në plan të dytë, sepse sistemi bën që politikanët ta hanë rëndom fjalën e tyre, atë që dikur ishte e shenjtë kur nuk kishte institucione.
Në kulturën shqiptare, sidomos në Veri dhe në Jug, por më shumë në zonën e Labërisë, kritika e drejtpërdrejtë dhe sidomos e adresuar konsiderohet fyese. Kjo bëri që ish-deputeti i PS-së Mazreku të qëllonte në parlament në vitin 1997 të ndjerin Azem Hajdari. Shpullat, ofendimet dhe rrahjet e politikanëve janë zakonshmëri, ndërsa prej vitesh, pas ashpërsisë së gjuhës, flitet rëndom me stigmatizime, anekdota fshati, metafora e simbolizma që zakonisht e kanë një emërues të përbashkët: “e kupton ti se për kë e kam”.
Berisha dhe disa herë Rama nuk falin dhe përdorin emra direkt, veç epiteteve fyese, dhe në masë jo të vogël ky është argëtim kombëtar, ndonëse për studiuesin e huaj dhe vendas quhet fyes. Në media lufta bëhet për zërin më të lartë, për atë se kush shan rëndom spiun apo tradhtar dhe kush do të thotë batutën e fundit.
Kësaj i shtohet edhe një fenomen tjetër: disa politikanë shkojnë me batutat gati, në mënyrë që t’i shërbejnë të gatshëm reels-ave të prodhuar enkas për platformat sociale. Rama dhe Berisha janë mjeshtër të këtij fenomeni dhe ndaj kanë mbulimet më të mëdha. Pikërisht ky është problemi që hasin ata që e shikojnë nga jashtë politikën tonë: duan të gjykojnë programet, por ne bindshëm votojmë për mënyrën e të folurit të Ramës dhe Berishës.
Njësoj veprojnë kryetarët respektivë të grupeve parlamentare, Balla dhe Bardhi, dhe deputetët e tjerë. Dy mjeshtërit e tandemit shqiptar e kanë kuptuar më së miri fabulën që etnografia e komunikimit e shpjegon qartë: në Shqipërinë tonë nuk respektohet dhe nuk fiton ai që ka të drejtë me programin, përkundrazi, ia del ai që e thotë ashtu si i pëlqen publikut, ku dhe cili auditor do ta dëgjojë dhe para kujt do ta thotë. ## Etnografia e komunikimit dhe menaxhimi i protestës së studentëve Kryeministri Rama, duke shfrytëzuar revoltën e studentëve kur mori përgjigje negative për një vend dialogu dhe për mënyrën e përfaqësimit, pasi kërkesa e studentëve ishte dorëheqja e tij, e zhvendosi dialogun jashtë, mu përpara Kryeministrisë.
Në karriget e nxjerra nga institucioni vendosi etiketën “Dialog” dhe, në modelin e komunikimit etnografik, u ul e u tha studentëve se i priste në mjedisin e tyre, në Bulevard. Simbolika shkoi edhe më tej, kur vendosi vetë etiketat, pa lënë shpotitë për pedagogët dhe duke u dhënë një lloj garancie, ndërkohë që hartoi një listë që e drithëroi protestën për dënimet e ashpra dhe që ishte krejt asimetrike.
Studentët u kapën në befasi dhe bënë më të thjeshtën: përmbysën karriget dhe i thyen, kurse Rama korri fitoren e tipit komunikativ, se ai ishte për dialog dhe ata ishin të dhunshëm. Berisha bëri diçka më finoke në etnografinë komunikuese, që i shkonte pozitës së tij: nuk mund të dilte në krye të protestës, sepse protestuesit e refuzonin njësoj si Ramën, por përkrahu familjen e tij me pedagogët duke e mbështetur nga jashtë.
Me grupin e tij parlamentar të bindurit e vazhdoi kauzën e tyre në parlament dhe, qysh nga konferencat e tij të shtypit, e kanalizoi atë nga “protestë studentore” në “protestë për qeveri teknike”. Kështu e kapi protestën bash në mes të rrugës dhe tani e menaxhon me masën. Nuk mund të thuhet indirekt se s’ka një farë dialogu, por ama nuk ka gjuhë të përbashkët se për çfarë po bëhet dialogu.
Përfundimi i Raportit të Progresit të KE-së, i datës 5 nëntor, e shprehu më qartë këtë: “Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u përfshirë në një dialog konstruktiv.” Sot, kur njerëzit janë disi më të qetë dhe studiuesit kanë bazën e parë të elementeve të gjykimit nga pikëpamja e shkencës politike, tandemi Rama-Berisha po e përdor “dialogun” si mjet, jo si qëllim.
Rama e kërkoi dialogun vetëm pasi plasi protesta që kërkon dorëheqjen e tij dhe që ai e kundërshton, por me norma: dialogu bëhet kur nuk ke presion, kurse dorëheqjes që i kërkohet ai i përgjigjet me një listë të zezë. Etnografia e komunikimit e fut këtë në atë që njihet si dual persuasion, pra jep dy mesazhe kontradiktore njëkohësisht, kështu që çfarëdo që bëjnë studentët mbeten fajtorë: nëse afrohen, u bindesh rregullave të tij, nëse nuk vijnë, janë “të dhunshëm”.
Berisha, nga ana tjetër, ka një gjë të vockël, por të madhe në thelb: ai i mbështeti “Flamingot” jo kur protesta ishte e vogël dhe po ngrihej, kur kërkohej në kor ikja e tij, por kur shtypi ndërkombëtar e vendosi në qendër të argumenteve dhe kronikave të veta. Kërkesat studentore i shndërroi në kërkesa mirëfilli të tij, ndërsa studentët kërkojnë kushte konviktesh, bursa dhe përgjigje për kërkesat e tyre.
