Gjykata në Mançester ka vendosur dëbimin drejt Shqipërisë të 28-vjeçarit Igli Hazizaj, i dënuar me dy vjet burg për përfshirje në kultivimin e kanabisit. Shqiptari kishte kundërshtuar vendimin për dëbimin e tij, duke pretenduar se ishte trafikuar drejt Britanisë së Madhe dhe ishte detyruar të punonte në ambiente ku kultivohej kanabis.
Hazizaj deklaroi se kishte frikë për jetën në rast kthimi në Shqipëri, pasi familja e tij i kishte një borxh një grupi kriminal. Megjithatë, pretendimet e tij u kundërshtuan nga Ministria e Brendshme britanike, ndërsa gjykata mori në shqyrtim një sërë provash që vinin në dyshim vërtetësinë e rrëfimit të tij.
Një ndër provat kryesore ishte dosja e dorëzuar nga ish-partnerja e tij, e cila paraqiti fotografi nga rrjetet sociale ku Hazizaj shfaqej duke i propozuar për martesë në Mançester, në festën e beqarisë në Uells, si dhe në ceremoninë e diplomimit të saj në Suonsi.
Gjykata shqyrtoi gjithashtu të dhënat e fluturimeve, të cilat tregonin se 28-vjeçari kishte udhëtuar drejt Shqipërisë dhe ishte kthyer në Britani gjatë periudhave kur pretendonte se mbahej i mbyllur dhe ishte i detyruar të punonte në ambiente ku kultivohej kanabis.
Në shkurt të vitit 2025, Hazizaj u dënua me dy vjet burg pasi u shpall fajtor për komplot për prodhimin e kanabisit. Gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën e Kurorës në Karlajl u bë e ditur se ai ishte organizatori kryesor i një skeme kriminale, përmes së cilës tri banesa në qytet ishin përshtatur për kultivimin e kanabisit. Sipas autoriteteve, kjo veprimtari kishte potencialin të gjeneronte mbi 2 milionë paund në vit.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ndaj tij u dha urdhri për dëbim nga Britania e Madhe. Hazizaj e apeloi vendimin dhe, gjatë një seance në Mançester, pretendoi se ishte trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe ishte detyruar të punonte në ambiente ku kultivohej kanabis, pasi babai i tij i kishte hyrë në borxh një bande lokale.
Ai deklaroi se në rast kthimi në Shqipëri përballej me “rrezik real për të pësuar dëme serioze”.
Por Ministria e Brendshme britanike i kundërshtoi pretendimet e tij, duke evidentuar “mospërputhje të shumta” në rrëfim. Ndër provat e paraqitura ishin edhe të dhënat e udhëtimeve ajrore, të cilat dëshmonin se ai kishte udhëtuar drejt Shqipërisë dhe ishte kthyer prej saj në periudhat kur pretendonte se “mbahej i mbyllur”.
Në anën tjetër, ish-partnerja e tij dorëzoi fotografi dhe pamje nga rrjetet sociale, të cilat dokumentonin marrëdhënien e tyre gjatë vitit 2024. Materialet përfshinin fotografi nga festa e beqarisë, ceremonia e diplomimit dhe fejesa e çiftit.
Gjatë seancës gjyqësore u bë e ditur gjithashtu se Hazizaj pritet të ekstradohet në Shqipëri, ku është dënuar me nëntë muaj burg, pasi u kap duke tentuar të udhëtonte nga Tirana drejt Barcelonës me një pasaportë greke të falsifikuar.
Në kohën e zhvillimit të seancës, ai ishte gjithashtu i liruar me kusht në Mbretërinë e Bashkuar për disa akuza të tjera, për të cilat nuk u dhanë hollësi. Ai duhej të paraqitej më 14 nëntor në Gjykatën e Magjistratëve të Londrës Qendrore.
Duke rrëzuar apelin e tij, gjyqtari Chris Cole arriti në përfundimin se Hazizaj “e kishte sajuar të gjithë rrëfimin e tij”. Sipas gjyqtarit, apeluesi nuk kishte arritur të provonte se ekzistonin arsye të mjaftueshme për të besuar se versioni i tij i ngjarjeve ishte i vërtetë.
“Nuk e konsideroj të besueshëm pretendimin se apeluesi është trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe është detyruar të punojë në ambiente ku kultivohej kanabis. Udhëtimet e tij, mundësia për të siguruar dokumente identiteti të falsifikuara dhe mënyra e jetesës në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se ai nuk ishte viktimë e trafikimit”, tha gjyqtari.
Ndërkohë, Hazizaj nuk u paraqit në seancën e 28 tetorit. Në gjykatë u bë e ditur se përpjekjet për ta kontaktuar përmes ish-partneres dhe studios ligjore që e kishte përfaqësuar më parë nuk patën sukses.


