Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka ashpërsuar përplasjen me opozitën, duke kërkuar krijimin e një qeverie të gjerë të unitetit kombëtar nën drejtimin e partisë së tij, Likud. Në deklaratat e tij, Netanyahu sulmoi partitë arabe, të cilat i akuzoi se mbështesin terrorizmin dhe se përbëjnë rrezik për sigurinë dhe karakterin hebraik të Izraelit.
“Ekziston një qeveri që mund ta përballojë këtë sfidë: një qeveri e gjerë kombëtare nën udhëheqjen e Likud, me mua në krye”, deklaroi Netanyahu, duke ftuar partitë sioniste dhe forcat e kampit kombëtar t’i bashkohen një koalicioni të përbashkët.
Kryeministri paralajmëroi se një qeveri që do të varej nga mbështetja e partive arabe, sipas tij, nuk do të ishte në gjendje të përballonte kërcënimet e jashtme dhe do të rrezikonte stabilitetin e vendit. Ai lidhi këto pretendime edhe me kërcënimet nga Irani dhe aleatët e tij.
Ndërkohë, përplasja politike zhvillohet në një parlament ku asnjëra palë nuk ka siguruar shumicën prej 61 mandatesh. Blloku i Netanyahut ka 53 vende në Knesset, partitë opozitare hebraike kanë 48, ndërsa dy grupimet arabe, Ra’am dhe Lista e Përbashkët, zotërojnë 19 mandate.
Nga ana tjetër, Gadi Eisenkot ka marrë mbështetjen e 67 deputetëve për të marrë mandatin e formimit të qeverisë, megjithëse kjo nuk garanton krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm. Eisenkot ka përjashtuar përfshirjen e partive arabe në qeveri, duke e bërë edhe më të ndërlikuar krijimin e shumicës parlamentare.
