MotoGP/ Llogaritë që e bëjnë Marc Marquez kampion bote që në garën e Katarit
Enes Brahimi është vetëm 13 vjeç, por falë pasionit për kalërimin dhe përkushtimit për sportin e hipizmit, ka marrë disa çmime të rëndësishme, ndërsa është regjistruar edhe në Federatën Ndërkombëtare të Hipizmit.
Sot, ai festoi dy trofe që i mori njëherazi në garën e Kupës së Republikës. Falë disiplinës, saktësisë në kapërcimin e pengesave dhe shpejtësisë, ai doli në vend të parë në kategoritë për të rinj dhe për të rritur.
Hipizimi është një nga sportet më të veçanta, ku forca dhe elegance ndërthuren në një harmoni të rrallë mes njeriut dhe kafshës. Në garë, kali bëhet pjesë e pandarë e çdo lëvizje dhe rezultati të garuesit. Dhe duket se Enes ia ka dalë të gjejë sekretin e komunikimit me Loris, me të cilin stërvitet çdo ditë.
“Duhet të jesh shumë i qetë, sepse kuajt ndiejnë gjithçka. E veçantë e këtij sporti është se garon me një kafshë të gjallë”, shprehet Enes Brahimi, fituese në kategoritë për të rinj dhe të rritur.
Gjashtë ekipe, pesë nga Shqipëria dhe një nga Kosova u bënë pjesë e garës me pengesa që u zhvillua këtë të shtunë në Mullet të Tiranës. Rreth 25 djem dhe vajza u vunë në sfidë për të realizuar me sukses garën, që u ndoq me emocione nga prindërit e pranishëm në tribunë.
Në kategorinë e fëmijëve, Sofia Caca me kalin e saj, Bambon, ia doli të kalojë çdo pengesë pa asnjë gabim!
“Për këtë fitore ndihem shumë mirë sepse është hera e parë që marr vendin e parë. Kjo fitore ishte dhe falë Bambos (kalit) që më ka mësuar kalërimin që në klasë të dytë. Për mua, kalërimi është ndjesia më e mire”, Sofia Caca, fituese në kategorinë për fëmijë.
Garat me kuaj janë ndër format më të vjetra të sportit në historinë e njerëzimit dhe duket se vitet e fundit kanë marrë hov në vendin tonë, teksa të rinjtë kanë shfaqur interes për të mësuar hipizmin, sikurse thotë zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Sporteve me Kuaj.
“Ka një interes të shtuar tani, sidomos te brezi i ri, te fëmijët kryesisht. Fatmirësisht, vitet e fundit mbizotërohet nga vajzat. Sepse ky sport, ndryshe nga sported e tjera u jep mundësinë të konkurrojnë në të njëjtën fushë, në të njëjtin nivel gare, si vajzat, edhe djemtë”, deklaron Gazmen Brahimi, Federata e Sporteve me Kuaj.
Kupat e fituara nga tri vendet e para shoqërohen me një vlerë modeste monetare, por për kalorësit e rinj ato mbartin një domethënie shumë më të madhe si motivim për të punuar me këmbëngulje për të arritur gjithnjë e më lart.
Top Channel