Tragjedia në Krakov, gjashtë të vrarë nga sulmi me armë, Shqipëria shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin me popullin polak

Një sulm i rëndë me armë zjarri ka goditur zemrën historike të Krakovës në Poloni, ku të shtënat e një personi të armatosur ndaj turmës kanë shkaktuar një bilanc tragjik prej gjashtë viktimash dhe dhjetëra të plagosurve.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) ka reaguar menjëherë pas ngjarjes përmes një mesazhi në rrjetin social X, duke shprehur “tronditjen dhe keqardhjen për ngjarjen tragjike”.
Diplomacia shqiptare u përcolli ngushëllime familjarëve të viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarit, duke nënvizuar se “Shqipëria qëndron në solidaritet me popullin e Polonisë dhe me të gjithë ata që janë prekur nga ky akt i pakuptimtë dhune”.
Dinamika e sulmit me automjet dhe pushkë automatike
Sipas të dhënave të përditësuara nga autoritetet dhe mediat polake, të cituara nga Ntv24 dhe stacioni radiofonik RMF FM, i dyshuari ka shfrytëzuar një automjet për të depërtuar në hapësirën e këmbësorëve.
Gazetari Kacper Wróblewski raportoi se “i dyshuari 25-vjeçar hyri në sheshin kryesor të qytetit, Rynek Główny, me një Subaru të zi pa leje” (raportuar edhe me Subaru të zi pa targa), “duke hapur zjarr pa dallim mbi kalimtarët me një pushkë gjysmëautomatike AR-15”. Dëshmitarët nga vendngjarja plotësojnë se “i riu mbante veshur kamuflazh ushtarak”.
Ndonëse raportimet fillestare pas orës 3:00 pasdite flisnin për dy të vdekur e 10 të plagosur, bilanci përfundimtar u rëndua duke arritur në gjashtë persona të vrarë dhe mbi një duzinë të lënduar, mes të cilëve edhe dy oficerë policie.
Neutralizimi i autorit dhe hetimet e policisë
Reagimi i shpejtë i forcave të rendit bëri të mundur ndjekjen dhe goditjen e sulmuesit gjatë largimit. Në një deklaratë zyrtare, policia njoftoi se “sulmuesi u qëllua nga oficerët e policisë dhe aktualisht po transportohet në spital”.
Ndërhyrja përfundimtare ndodhi “pranë kryqëzimit të rrugëve Stradomska dhe Dietla, përpara se të dërgohej në një spital të Krakovës, ku po i nënshtrohet reanimacionit”.
Me marrjen e kontrollit të territorit, “autoritetet po u bëjnë thirrje banorëve dhe turistëve të mos vizitojnë Sheshin e Tregut dhe po u bëjnë thirrje të gjithë atyre që ndodhen në zonë të zhvendosen në një vend të sigurt”. Ndërkohë, sa i përket motiveve të ngjarjes, burime nga policia bëjnë me dije se “policia beson se ai veproi i vetëm”, ndërsa “motivi i sulmit mbetet i panjohur”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








