
Sali Berisha ka përshëndetur protestën e zhvilluar nga studentët dhe opozita para Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një kundërpërgjigje të fortë ndaj vendimeve të qeverisë.
Kreu i PD falënderoi mijëra studentë dhe qytetarë që morën pjesë në tubim, duke deklaruar se me qëndrimin e tyre rrëzuan, sipas tij, përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të ndalur revoltën studentore.
“Me guximin, trimërinë dhe vendosmërinë e tyre groposën në koshat e plehrave të Tiranës dekretet diktatoriale të padrinos”, u shpreh Berisha.
Ai tha se kishte pritur një reagim të tillë nga studentët dhe qytetarët, të cilët, sipas tij, i dhanë qeverisë përgjigjen e duhur përmes shpërfilljes së akteve të miratuara.
“Kisha bindjen më të madhe se do t’u jepnin përgjigjen më të merituar, shpërfilljen totale, hedhjen në kosh të plehrave të akteve antikushtetuese dhe antiligjore”, deklaroi kreu i PD-së.
Në përfundim, Berisha paralajmëroi se opozita nuk do të njohë asnjë vendim që, sipas tij, cenon të drejtat kushtetuese dhe liritë e qytetarëve.
“Asnjë akt ligjor që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, asnjë kufizim i lirive të garantuara nga Kushtetuta dhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk do të respektohet kurrë nga Partia Demokratike”, përfundoi ai.