Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, ka deklaruar se nëse PD vjen në pushtet, do të shkurtojë vendet e punës në administratën publike, duke larguar punonjësit që, sipas tij, janë shtuar kot.
I ftuar në emisionin “Terminal” në A2CNN, Teliti iu përgjigj ekspertit Gerti Shella lidhur me mënyrën se si opozita planifikon të veprojë me administratën publike, nëse vjen në pushtet.
Ai tha se nuk do të largohen punonjësit që kryejnë detyrën e tyre, pavarësisht bindjeve politike, por ata që, sipas tij, paguhen pa kryer asnjë funksion.
Teliti solli në vëmendje shifrat e administratës në vitin 2013 dhe ato aktuale, duke argumentuar se numri i punonjësve është rritur, pavarësisht rënies së popullsisë dhe digjitalizimit të shërbimeve.
“Më the çfarë do të bëj me administratën publike, si do t’i heqim 180 mijë nga puna. Do hiqen ata të cilët rrinë kot. Ata që janë shtuar kot. Sa ka qenë administrata në vitin 2013-të? Ka qenë 162 mijë, dhe ke pasur 2,9 milionë banorë sipas INSTAT-it. Sot ke 500 mijë më pak, ke digjitalizim shumë më tepër sepse bota është digjitalizuar, dhe ke shkuar 186 mijë me kohë të plotë. Plus në çdo fushatë zgjedhore shkon mbi 200 mijë. Këto abuzime duhen shkurtuar, sepse ato para duhet të shkojnë për pensione, shkolla. Kush e bën punën e vet, s’ka rëndësi politika. Por ka me mijëra që marrin rrogën kot, kanë vetëm kartën e bankomatit, ata patjetër do fluturojnë. Ne do kthejmë Shqipërinë në normalitet”.













