Renditja e 100 të mëdhenjve; Rritja e Malit të Zi fsheh dobësitë strukturore të ekonomisë

Ekonomia e Malit të Zi është rritur ndjeshëm që nga pavarësia, por mbetet e varur nga konsumi, turizmi, tregtia, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, ndërsa prodhimi dhe eksportet kanë mbetur pas. Kjo strukturë pasqyrohet edhe në sektorin e biznesit, ku kompanitë e tregtisë me pakicë dominojnë renditjen e 10 kompanive më të mëdha në vend sipas të ardhurave.
Ivan Ivanovic*
Dy dekada pas rikthimit të pavarësisë në vitin 2006, Mali i Zi e ka zgjeruar me gati katër herë PBB-në nominale, ndërsa punësimi, pagat dhe standardi i jetesës janë rritur ndjeshëm.
Megjithatë, ekonomia mbetet shumë e varur nga konsumi, turizmi dhe importet, ndërsa prodhimi vendas, diversifikimi dhe eksportet vijojnë të mbeten pas.
PBB-ja nominale u rrit nga 2.17 miliardë euro në vitin 2006 në rreth 8.17 miliardë euro në vitin 2025, sipas MONSTAT. E korrigjuar për inflacionin, ekonomia është rritur me rreth 65% në terma realë.
Në të njëjtën kohë, borxhi publik neto u rrit më shumë se gjashtëfish, nga 701 milionë euro në 4.38 miliardë euro, duke treguar se zgjerimi ekonomik është shoqëruar edhe me rritje të fortë të huamarrjes së shtetit.
Pagat dhe pensionet mesatare janë rritur me rreth 300% që nga pavarësia, megjithëse një pjesë e madhe e kësaj rritjeje është konsumuar nga inflacioni kumulativ prej 89.9%. Paga mesatare neto mujore u rrit nga 246 euro në 1,040 euro, ndërsa pensioni mesatar nga 143 euro në 560 euro.
Në dekadën e fundit, ekonomia e Malit të Zi është zgjeruar me një normë mesatare vjetore prej rreth 3.5%.
Rritja ishte relativisht e qëndrueshme gjatë viteve 2016–2019, përpara se pandemia COVID-19 të ekspozonte varësinë e lartë të vendit nga turizmi dhe lëvizjet ndërkombëtare. PBB-ja u tkurr me gati 15% në vitin 2020, një nga rëniet më të thella në Europë.
Rimëkëmbja ishte po aq e fortë. PBB-ja u rrit me 13% në vitin 2021, e ndjekur nga rritja prej 7.7% në vitin 2022 dhe 6.5% në vitin 2023. Gjatë dy viteve të fundit, ritmi i rritjes është ngadalësuar në rreth 3.2%.

Burimi: Monstat
Konsum, jo prodhim
Turizmi mbetet në qendër të modelit ekonomik të Malit të Zi, me disa vlerësime që e vendosin kontributin e tij në ekonomi deri në 20%. Të ardhurat nga turizmi u rritën nga 288 milionë euro në vitin 2006 në 1.48 miliardë euro vitin e kaluar, më shumë se pesëfish krahasuar me vitin e pavarësisë.
Eksportet e mallrave kanë pasur ecuri shumë më të dobët. Ato u rritën nga 441 milionë euro në vitin 2006, në 572 milionë euro vitin e kaluar, ose vetëm 29% në terma nominalë. E korrigjuar për inflacionin, vlera e tyre ishte më e ulët se dy dekada më parë.
Megjithëse ekonomia e Malit të Zi është zgjeruar ndjeshëm, struktura e saj nuk është orientuar më shumë drejt prodhimit. Pesha e industrisë në PBB ra nga gati 15% në 8.3%, ndërsa ajo e bujqësisë nga 5.7% në 3.5%. Ndërkohë, shërbimet rritën peshën e tyre nga 57.6% në pothuajse 64%.
Tregtia, hoteleria, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme mbeten ndër sektorët kryesorë që mbështesin aktivitetin ekonomik.
Tregtia me shumicë dhe pakicë është shndërruar në një nga shtyllat gjithnjë e më të rëndësishme të ekonomisë, duke pasqyruar peshën që ka konsumi në rritje, krahasuar me prodhimin vendas.
Vlera e shtuar bruto e krijuar nga tregtia u rrit nga rreth 479 milionë euro në vitin 2016 në 1.19 miliardë euro në 2025, ose rreth 149% në terma nominalë.

Burimi: Monstat, përpunim të Monitor
Sipas Entit të Statistikave, tregtia me shumicë dhe pakicë, së bashku me riparimin e automjeteve, gjeneroi rreth 1.19 miliardë euro vlerë të shtuar bruto në vitin 2025.
Shërbimet e akomodimit dhe ushqimit kontribuuan me rreth 621 milionë euro, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme me rreth 536 milionë euro.
Pandemia tregoi rreziqet e varësisë së Malit të Zi nga turizmi. Në vitin 2020, vlera e shtuar bruto nga akomodimi dhe shërbimet ushqimore ra në vetëm 85 milionë euro, përpara se të rimëkëmbej fuqishëm në vitet pasuese.
Edhe sektori i pasurive të paluajtshme është zgjeruar me shpejtësi, me vlerën e shtuar bruto që u rrit nga rreth 307 milionë euro në vitin 2022 në 536 milionë euro në vitin 2025.
Konsumi i familjeve përbënte 6.68 miliardë euro të PBB-së në vitin 2025, krahasuar me 1.4 miliardë euro konsum qeveritar dhe 2.2 miliardë euro investime bruto. Kjo strukturë ka ndryshuar pak gjatë dekadës së fundit, me shpenzimet e familjeve që vijojnë të dominojnë aktivitetin ekonomik.
Megjithatë, investimet janë rritur ndjeshëm, nga 916 milionë euro në vitin 2016 në 2.2 miliardë euro vitin e kaluar.
Një pjesë e madhe e kësaj rritjeje neutralizohet nga deficiti i vazhdueshëm tregtar i Malit të Zi. Deficiti në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve u zgjerua nga 888 milionë euro në vitin 2016 në rreth 2.1 miliardë euro vitin e kaluar.
Që nga viti 2006, Mali i Zi ka tërhequr rreth 16 miliardë euro Investime të Huaja Direkte. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre është orientuar drejt pasurive të paluajtshme, turizmit dhe shërbimeve, dhe jo drejt industrisë përpunuese, teknologjisë dhe sektorëve të orientuar nga eksportet.
Si rezultat, flukset e larta të investimeve të huaja kanë ndikuar relativisht pak në rritjen e produktivitetit dhe zgjerimin e bazës së eksporteve të vendit. Në disa vite, vetëm blerjet e pasurive të paluajtshme përbënin deri në gjysmën e Investimeve të Huaja Direkte.
Edhe financat publike kanë kaluar luhatje të mëdha. Borxhi publik u rrit nga 898 milionë euro, ose 41.5% e PBB-së, në vitin 2006, në 5.19 miliardë euro, ose 63.5% e PBB-së, në vitin 2025. Gjatë pandemisë, ai arriti kulmin në 106.4% të PBB-së në vitin 2020.
Megjithëse niveli aktual nuk përbën një kërcënim të menjëhershëm për stabilitetin fiskal, rreth 94% e borxhit qeveritar është i jashtëm, duke e ekspozuar Malin e Zi ndaj ndryshimeve të normave të interesit dhe kushteve në tregjet financiare ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, sektori i biznesit vijon të dominohet nga tregtia, energjia, ndërtimi dhe telekomunikacioni, ndërsa lojërat e fatit janë shndërruar gjithashtu në një nga aktivitetet më fitimprurëse në vend.

Burimi: Monstat
Kompanitë më të mëdha në Malin e Zi
100 kompanitë më të mëdha të Malit të Zi gjeneruan 6.74 miliardë euro të ardhura dhe 585.5 milionë euro fitim neto në vitin 2025, ndërsa punësuan gjithsej 32,859 persona, ose mesatarisht rreth 330 punonjës për kompani.
Kompania shtetërore e energjisë Elektroprivreda Crne Gore (EPCG) regjistroi të ardhurat më të larta, me 406 milionë euro, por nuk u përfshi mes kompanive më fitimprurëse, pasi shënoi një humbje prej 92 milionë eurosh. Rezultati erdhi pas mbylljes për tetë muaj të termocentralit kryesor për shkak të punimeve për përmirësimin e standardeve mjedisore.
Pasqyrat financiare tregojnë se tregtia me pakicë, energjia, ndërtimi dhe telekomunikacioni vijojnë të dominojnë sektorin e biznesit në Malin e Zi. Mes dhjetë kompanive me fitimet më të larta shfaqet edhe një kompani e sektorit të mbrojtjes.
Ndër dhjetë kompanitë me të ardhurat më të larta janë katër rrjete retail, të cilat konsiderohen gjerësisht ndër përfituesit kryesorë të reformave të fundit ekonomike dhe rritjes së çmimeve, si dhe të mungesës së gjigantëve ndërkombëtarë të retail-it në tregun malazez, si Lidl, hyrja e të cilit është paralajmëruar prej kohësh.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, 11 bankat tregtare të vendit realizuan së bashku 146.5 milionë euro fitim në vitin 2025. Fitimin më të lartë e regjistroi banka në pronësi të OTP Bank të Hungarisë, me 55 milionë euro.
Megjithëse të ardhurat e sektorit bankar vijuan të rriten dhe aktiviteti mbeti i qëndrueshëm, fitimi i përgjithshëm i bankave ra me 11.2 milionë euro, ose 7.09%, krahasuar me një vit më parë, kryesisht për shkak të të ardhurave më të ulëta nga komisionet dhe tarifat.
Edhe sektori i sigurimeve vijoi të zgjerohej, duke regjistruar 13.9 milionë euro fitim para taksave në vitin 2025, rreth 11% më shumë, ose 1.4 milionë euro mbi nivelin prej 12.5 milionë eurosh të një viti më parë.
10 kompanitë më të mëdha sipas të ardhurave në Malin e Zi
10 kompanitë më të mëdha në Mal të Zi sipas të ardhurave gjeneruan 2.4 miliardë euro në vitin 2025, ose 29% të PBB-së së vendit. Së bashku, ato punësuan rreth 11 mijë persona.
Në përputhje me strukturën e ekonomisë së Malit të Zi, ku tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore kanë peshën më të madhe në PBB në rajon, me gati 26% (krahasuar me rreth 15–20% mesatarisht në rajon dhe rreth 17% në BE), në renditjen e kompanive më të mëdha të Malit të Zi dominojnë rrjetet e supermarketeve dhe tregtarët me shumicë të produkteve të ndryshme të konsumit.
- “Elektroprivreda Crne Gore” (EPCG)
Elektroprivreda Crne Gore (EPCG) është kompania shtetërore kombëtare e energjisë elektrike në Mal të Zi, përgjegjëse për prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike në të gjithë vendin. Të ardhurat e saj ishin 412 milionë euro në vitin 2025, ndërsa shënoi humbje prej 92 milionë eurosh.
Kompania luan rol qendror në sektorin energjetik të vendit, duke operuar hidrocentralet dhe termocentralet kryesore, ndërsa po zgjerohet edhe në projekte të energjisë së rinovueshme.
- “Voli Trade”
Voli është rrjeti më i madh i supermarketeve në Mal të Zi, në pronësi të biznesmenit Dragan Bokan dhe është lider në tregtinë me pakicë, shpërndarjen e ushqimeve dhe prodhimin bujqësor në vend. Kompania deklaroi 390 milionë euro të ardhura në vitin 2025 dhe 16 milionë euro fitim.
Me më shumë se 2,400 punonjës, ajo është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend.
- “Hard Discount Laković”
Si konkurrenti kryesor i Voli-t, HD Laković është një nga rrjetet kryesore të hipermarketeve në Mal të Zi, me rritje të qëndrueshme të të ardhurave dhe fitimit ndër vite. Në pronësi të biznesmenit Komnen Laković, kompania njihet për dyqanet e saj me sipërfaqe të mëdha, çmimet konkurruese dhe gamën e gjerë të produkteve ushqimore dhe artikujve për shtëpinë. Kompania deklaroi 294 milionë euro të ardhura në vitin 2025 dhe rreth 12.5 milionë euro fitim.
- “IDEA – CG”
Si lojtari i tretë kryesor në sektorin e shitjes me pakicë, IDEA është një nga rrjetet më të mëdha të marketeve në Mal të Zi, me më shumë se 130 dyqane në të gjithë vendin, dhe është pjesë e Fortenova Group.
Marka ofron formate të ndryshme dyqanesh, nga njësitë e vogla të lagjeve deri te supermarketet e mëdha, të përshtatura si për blerjet e përditshme, ashtu edhe për nevojat më të gjera të familjeve. Kompania deklaroi 275 milionë euro të ardhura në vitin 2025 dhe rreth 1.4 milionë euro fitim.
- “Jugopetrol”
Jugopetrol është kompania kryesore e naftës në Mal të Zi, që operon një rrjet kombëtar pikash shitjeje nën markën e njohur EKO. Në pronësi të grupit grek të energjisë HELLENiQ ENERGY, kompania merret me importin, tregtinë me shumicë dhe shpërndarjen me pakicë të karburanteve dhe produkteve të naftës në të gjithë vendin.
Përtej pikave të karburantit, Jugopetrol luan një rol strategjik në logjistikën kombëtare, duke furnizuar me karburant aviacioni aeroportet ndërkombëtare të Malit të Zi dhe duke administruar objekte të rëndësishme për magazinimin e karburanteve. Kompania deklaroi 251 milionë euro të ardhura në vitin 2025 dhe rreth 9.4 milionë euro fitim.
- “MTEL”
MTEL është një nga tre operatorët më të mëdhenj të telekomunikacionit në Mal të Zi dhe është në pronësi të Telekom Serbia, kompani shtetërore. Fitimi i kompanisë u rrit me 76% krahasuar me një vit më parë. Kompania deklaroi 183 milionë euro të ardhura në vitin 2025 dhe rreth 77 milionë euro fitim.
- “Montefarm”
Montefarm është institucioni shtetëror farmaceutik i Malit të Zi, përgjegjës për prokurimin, shpërndarjen dhe magazinimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore për sistemin shëndetësor publik. Duke operuar një rrjet të gjerë farmacish shtetërore në të gjithë vendin, ai siguron aksesin e qytetarëve në barnat me recetë dhe terapitë e rëndësishme.
Përveç shërbimeve të farmacive me pakicë, Montefarm shërben si tregtari kryesor me shumicë që furnizon spitalet publike, qendrat shëndetësore dhe institucionet klinike në të gjithë vendin. Kompania deklaroi 182 milionë euro të ardhura në vitin 2025 dhe rreth 353 mijë euro fitim.
- “Domaća Trgovina”
Domaća Trgovina është një nga kompanitë kryesore të tregtisë me pakicë në Mal të Zi, e njohur kryesisht për operimin e rrjeteve të marketeve Aroma dhe City në të gjithë vendin. Pjesë e grupit rajonal Expo, kompania fokusohet në marketet e lagjeve dhe supermarketet, me theks te produktet e freskëta, produktet e furrës dhe një përvojë e mirë blerjeje.
Kompania deklaroi 161 milionë euro të ardhura në vitin 2025 dhe rreth 4.1 milionë euro fitim.
- “GLOSARIJ”
Glosarij është tregtari kryesor me shumicë i produkteve farmaceutike dhe shpërndarës i produkteve mjekësore në Mal të Zi, i autorizuar të furnizojë më shumë se 300 marka globale të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin.
Për vite me radhë, kompania ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë në Mal të Zi.
E themeluar në vitin 1992, kompania private është e specializuar në importin dhe shpërndarjen e barnave me recetë, pajisjeve mjekësore dhe produkteve të kujdesit shëndetësor për spitalet publike, farmacitë dhe institucionet klinike.
Në pronësi të biznesmenit Branislav Martinović, kompania deklaroi 160 milionë euro të ardhura në vitin 2025 dhe rreth 7.5 milionë euro fitim.
- “BAR-KOD”
BAR-KOD është një nga kompanitë kryesore në Mal të Zi në importin dhe shpërndarjen e mallrave të konsumit. E themeluar si kompani e tregtisë me shumicë, ajo është zgjeruar në një operator të integruar të shpërndarjes, me një portofol që përfshin kozmetikë, parfume, produkte për kujdesin e shtëpisë, produkte ushqimore dhe produkte duhani.
Kompania operon gjithashtu në tregtinë me pakicë përmes rrjetit të parfumerive BAR-KOD SHOP dhe rrjetit Tabacco Shop, ndërsa rrjeti i saj i shpërndarjes mbulon të gjithë territorin e Malit të Zi. Kompania deklaroi 145 milionë euro të ardhura në vitin 2025 dhe rreth 4.3 milionë euro fitim.
“Modeli Europë” hap një front të ri ekonomik
Perspektiva për vitin 2027 ka sjellë, megjithatë, pasiguri të reja si për bizneset, ashtu edhe për punonjësit.
Në mesin e shtatorit, kryeministri Milojko Spajić prezantoi papritur një program të ri ekonomik, të quajtur “Modeli Europë”, që parashikon një tjetër rritje të konsiderueshme të pagave minimale nga janari 2027, së bashku me ulje të mëtejshme të taksave dhe kontributeve mbi punën.
Sipas propozimit, paga minimale neto do të rritet në 1,000 euro për vendet e punës që kërkojnë arsim fillor ose më të ulët, në 1,250 euro për pozicionet që kërkojnë arsim të mesëm dhe në 1,400 euro për vendet e punës që kërkojnë arsim të lartë.
Aktualisht, pagat minimale janë përkatësisht 600 dhe 800 euro, në varësi të nivelit të kualifikimit të kërkuar.
Rritja do të financohet pjesërisht përmes një uljeje të mëtejshme të taksave mbi punën. Propozimi parashikon heqjen e kontributit të punonjësit për pensionet, aktualisht në nivelin 10%, si dhe të kontributeve për papunësinë.
Gjithashtu, do të hiqet shkalla prej 15% e tatimit mbi të ardhurat personale, ndërsa pagat deri në 700 euro do të përjashtohen nga tatimi dhe mbi këtë prag do të aplikohet një normë prej 9%.
Qeveria planifikon që, nga viti 2027, pensionet të rregullohen katër herë në vit, në mënyrë që të ndjekin më nga afër ecurinë e pagave.
Më 17 shtator, qeveria miratoi gjashtë projektligje të nevojshme për zbatimin e reformës gjatë një mbledhjeje elektronike, pa zhvilluar mbledhjen e rregullt të kabinetit. Sipas raportimeve në media, ministrat komunikuan qëndrimet e tyre përmes një grupi në WhatsApp.
Paketa ligjore përfshin ndryshime në ligjet për punën, tatimin mbi të ardhurat, kontributet sociale dhe pensionet dhe ende duhet të miratohet nga Parlamenti.
Spajić thotë se kostoja fiskale e reformës do të mbulohet përmes rritjes së konsumit dhe punësimit, luftës ndaj ekonomisë informale, kontrollit më të rreptë të shpenzimeve publike, masave shtesë tatimore dhe konfiskimit më efektiv të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Ai ka parashikuar një deficit buxhetor prej rreth 4–5% të PBB-së në vitin 2027, që do të ulet drejt 3% në vitin 2028.
Propozimi është kritikuar ashpër nga punëdhënësit, të cilët thonë se nuk janë konsultuar përpara njoftimit të tij. Organizatat e biznesit kanë paralajmëruar se rritja e fortë e kostove të punës mund t’i detyrojë disa kompani, veçanërisht bizneset e vogla dhe ato me marzhe të ulëta, të shkurtojnë vendet e punës ose të mbyllen.
Unioni i Punëdhënësve ka kërkuar shtyrjen ose reduktimin e reformës, duke paralajmëruar se kompanitë mund të nisin të shkurtojnë vende pune edhe përpara janarit, nëse propozimi mbetet i pandryshuar.
Edhe disa ekonomistë kanë vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë fiskale të programit, duke paralajmëruar se ulja e të ardhurave nga kontributet, e kombinuar me rritjen e shpenzimeve, mund të zgjerojë deficitin buxhetor dhe përfundimisht të kërkojë taksa të reja, shkurtime të shpenzimeve ose huamarrje shtesë.
Kritikët e kanë përshkruar programin si një model të mbështetur te borxhi, të prezantuar në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Spajić i ka hedhur poshtë këto shqetësime, duke argumentuar se reforma është e qëndrueshme dhe ndjek të njëjtën qasje si programet e tij të mëparshme Europe Now 1 dhe Europe Now 2. Këto reforma rritën ndjeshëm pagat minimale dhe mesatare neto përmes uljes së taksave dhe kontributeve të detyrueshme, përfshirë kontributet për shëndetësinë dhe pensionet.
Mënyra e miratimit të programit të fundit ka ngritur gjithashtu pikëpyetje brenda vetë qeverisë.
Ministri i Financave, Novica Vuković, nuk e deklaroi mbështetjen për propozimin gjatë mbledhjes elektronike të kabinetit. Më vonë, ai tha se i nevojitej më shumë kohë për ta vlerësuar programin, duke u shprehur se kolegët e tij i kishin analizuar projektligjet “shumë shpejt”, ndërsa atij do t’i duheshin edhe disa ditë për të arritur në një përfundim.
Spajić tha më vonë se disa anëtarë të kabinetit nuk kishin votuar sepse nuk e kishin parë në kohë mesazhin në WhatsApp. Megjithatë, ai këmbënguli se reforma ishte përgatitur prej një kohe të gjatë dhe se qëndrueshmëria e saj fiskale ishte analizuar.
* Ivan Ivanoviç është gazetar i punësuar pranë BIRN Montenegro, me seli në Podgoricë, ku punon për investigime gazetareske dhe kontribuon në raportimin mbi çështjet kryesore ekonomike të vendit.


LEXONI EDHE:
Ekskluzive, VIP-at e Ballkanit Perëndimor; renditja e kompanive më të mëdha në rajon
Ekonomia shqiptare pa prodhim, e varur nga ndërtimi; Kontrasti me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë
50 kompanitë më të mëdha në Maqedoninë e Veriut; “Not” në ujëra të trazuara ekonomike
100 VIP sipas të ardhurave dhe fitimeve në Serbi; rritje e ngadaltë mes pasigurive politike
Të mëdhenjtë e Bosnjë-Hercegovinës: Rritje e moderuar ekonomike dhe sfida strukturore
10 më të mëdhenjtë e Kosovës; Ekonomia, mes krizave institucionale dhe nevojës për rritje
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









