Presidenti izraelit, Isaac Herzog, deklaroi sot se po i jep kandidatit të opozitës, Gadi Eisenkot, mundësinë e parë për të formuar një koalicion qeverisës pas zgjedhjeve të 27 tetorit.

Eisenkot, ish-shef i ushtrisë, i cili garoi si sfiduesi kryesor i kryeministrit Benjamin Netanyahu, tashmë është një hap më pranë largimit nga pushteti të kryeministrit me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit.

“Ka ardhur koha për të krijuar një qeveri të unitetit kombëtar në kushtet e emergjencës. Do të bëj gjithçka që është e mundur për të dëshmuar se jemi të denjë për këtë përgjegjësi”, shkroi Eisenkot në llogarinë e tij në platformën X, menjëherë pas njoftimit të presidentit.

Ai ka deri në gjashtë javë kohë për të formuar një koalicion, një detyrë e vështirë në Izraelin thellësisht të përçarë, i cili ende po përpiqet të rimëkëmbet nga sulmet e 7 tetorit 2023, të udhëhequra nga Hamasi, si dhe nga tre vitet e luftërave që pasuan në Gaza dhe më gjerë.

Gjatë bisedimeve me presidentin këtë javë, përfaqësuesit e shumicës së partive kryesore izraelite rekomanduan që Eisenkot të ngarkohej me detyrën e formimit të qeverisë së re. Megjithatë, sigurimi i shumicës parlamentare të nevojshme mbetet një proces i ndërlikuar dhe çdo koalicion i mundshëm do të kërkonte kompromise të vështira nga kandidatët, të cilat mund të shkaktonin pakënaqësi te vetë votuesit e tyre.

Netanyahu dhe aleatët e tij humbën shumicën parlamentare në zgjedhjet e muajit të kaluar. Por as blloku i udhëhequr nga Eisenkot nuk arriti të sigurojë shumicën. Kjo i la partitë e drejtuara nga arabët, të cilat shënuan fitore historike, në pozicionin e faktorëve të mundshëm vendimtarë për krijimin e qeverisë, ndonëse një rol i tillë është politikisht i ndërlikuar.

Një parti arabe ka qenë pjesë e një koalicioni qeverisës vetëm një herë në historinë e Izraelit. Krijimi i një aleance të tillë mund të jetë veçanërisht përçarës për Eisenkotin, pas më shumë se tre vitesh luftë në Gaza.

Netanyahu ka zhvilluar një fushatë për të penguar çdo aleancë të mundshme mes Eisenkotit dhe partive të udhëhequra nga arabët, duke përfshirë edhe pretendime të pambështetura me prova se partitë arabe i “vodhën” zgjedhjet.

Pak para njoftimit të Herzogut, Netanyahu bëri thirrje për krijimin e një “qeverie të unitetit kombëtar” në një deklaratë me video, duke paralajmëruar kundër “betimit me ngut të një qeverie me mbështetës të terroristëve”, një gjuhë që ai përdor për t'iu referuar partive të udhëhequra nga arabët.

Netanyahu dhe aleatët e tij i kanë paraqitur vazhdimisht partitë e udhëhequra nga arabët si një kërcënim për sigurinë kombëtare, ndërsa Eisenkot ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me to, në kushte të caktuara, përfshirë edhe cilësimin e Hamasit si një organizatë terroriste që duhet shkatërruar.

Eisenkot dhe Netanyahu, partia Likud e të cilit është forca më e madhe politike në parlament, mund të përpiqen të krijojnë një qeveri të gjerë uniteti me partitë kryesore hebraike. Megjithatë, dy politikanët kanë dallime të thella për shumë çështje, të cilat do të jetë e vështirë të kapërcehen.

Këto përfshijnë varësinë e Netanyahut nga partitë fetare, të cilat kërkojnë përjashtimin nga shërbimi ushtarak të burrave ultraortodoksë, si dhe kundërshtimin e tij ndaj një hetimi zyrtar për dështimet në fushën e sigurisë që lidhen me sulmet e 7 tetorit.

Eisenkot mund të përpiqet gjithashtu të krijojë një qeveri “minorance”, e cila do të mbështetej nga jashtë prej partive arabe, pa qenë këto të fundit anëtare formale të koalicionit të tij. Megjithatë, anëtarë të tjerë të bllokut të tij kanë deklaruar se do ta refuzonin një aleancë të tillë.

Partia e Eisenkotit, Yashar, kritikoi videomesazhin e kryeministrit përmes një deklarate të publikuar në platformën X dhe u bëri thirrje anëtarëve të partisë së tij, Likud, që të distancohen nga aleanca me “partitë radikale”, duke iu referuar në mënyrë të tërthortë partive të ekstremit të djathtë që përbëjnë bazën e tij fetare-nacionaliste.

Në deklaratë theksohej se Eisenkot do të përfshinte në qeverinë e tij vetëm partitë dhe deputetët që mbështesin parimet e partisë së tij.