Shqipëria do të përjetojë një ndryshim të kushteve atmosferike gjatë ditës së sotme. Paraditja pritet të jetë relativisht e qëndrueshme, me kthjellime dhe vranësira të herëpashershme, ndërsa nga mesdita parashikohet shtim i vranësirave dhe rikthim i reshjeve të shiut.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet do të nisin fillimisht përgjatë vijës bregdetare, për t’u shtrirë gradualisht edhe në pjesën tjetër të territorit. Ato pritet të kenë intensitet të ulët, ndërsa në zonat bregdetare mund të shoqërohen herë pas here me shtrëngata afatshkurtra dhe shkarkesa elektrike.
Era do të fryjë nga kuadrati i jugut, me shpejtësi mesatare rreth 4 m/s. Në vijën bregdetare, veçanërisht në atë jugperëndimore, si dhe në lugina, shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 14 m/s.
Ndërkohë, në det parashikohet valëzim i forcës 1-3 ballë.


