Moska forcon përfaqësimin në bisedimet e Abu Dhabit, Erdogan dhe Trump diskutojnë përshpejtimin e diplomacisë

Botë | 14 minuta më parë

Moska pritet të marrë pjesë me një delegacion të zgjeruar në bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat do të zhvillohen më 10–11 nëntor në Abu Dhabi.

Sipas deklaratave të zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, në përbërje të delegacionit rus janë përfshirë diplomatë të lartë dhe zyrtarë të nivelit të lartë ushtarak. Ekipi negociues do të udhëhiqet nga këshilltari i Presidentit Putin, Vladimir Medinsky, ndërsa pjesë e tij do të jenë zëvendësministrat e Jashtëm Sergei Ryabkov dhe Mikhail Galuzin, shefi i Inteligjencës Ushtarake Igor Kostyukov, si dhe oficeri i lartë i Shtabit të Përgjithshëm, Yury Zhigarlovsky.

Përfshirja e diplomatëve me përvojë specifike shihet si një lëvizje me peshë në ecurinë e bisedimeve. Përfaqësues të medias ukrainase nënvizojnë se “Ryabkov, përgjegjës për marrëdhëniet Rusi-SHBA dhe çështjet e kontrollit të armëve, do të marrë pjesë në negociata për herë të parë, ndërsa Medinsky, Galuzin dhe Kostyukov kanë marrë pjesë në raundet e mëparshme”.

Në këtë kuadër, vlerësimet e mediave amerikane sugjerojnë se prania e këtij ekipi të zgjeruar “mund të sinjalizojë gatishmërinë e Moskës për t’u angazhuar në diskutime më thelbësore mbi çështjet politike dhe ushtarake”.

Përgatitjet administrative dhe strategjike për këtë takimi u konsoliduan gjatë javës së kaluar, ku më 6 nëntor Presidenti rus Vladimir Putin diskutoi ecurinë e bisedimeve me anëtarët e Këshillit të tij të Sigurisë, pjesë e të cilit ishin edhe zyrtarët e caktuar në delegacion. Megjithatë, kuadri diplomatik zhvillohet midis tensioneve të larta në terren, ndërkohë që disa qytete ukrainase – me fokus të veçantë Kievin – vijojnë të jenë nën goditjen e vazhdueshme të dronëve dhe raketave balistike.

Paralelisht me zhvillimet rreth Abu Dhabit, kanalet e diplomacisë rajonale mbeten aktive. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, ku u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, konflikti Rusi-Ukrainë dhe tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Gjatë komunikimit, Erdogan ritheksoi angazhimin e Ankarasë për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore, duke shprehur besimin se përpjekjet e fundit diplomatike do të japin rezultate konkrete. Lidhur me këtë proces, udhëheqësi turk nënvizoi se “do të vazhdojë të kontribuojë në këtë përpjekje” dhe theksoi veçanërisht se “është e rëndësishme të intensifikohet dialogu si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme