“Dashuri, Paqe, Para” ngjitet në skenën e Lezhës/Komedia e Edison Lleshit pritet me interes nga publiku lezhjan
Komedia “Dashuri, Paqe, Para”, me regji të Edison Lleshit, solli në skenën e Pallatit të Kulturës në Lezhë humor, batuta dhe situata të papritura. Përmes historisë së tre personazheve, vepra trajton në mënyrë komike marrëdhëniet njerëzore, dashurinë dhe paranë. Shfaqja u ndoq nga një sallë e mbushur me artdashës, ndërsa trupa artistike synon ta prezantojë atë edhe në qytete të tjera të vendit.
“Përcolla emocione, të qeshura, dashuri dhe, pse jo, edhe një lloj shprese se të rinjtë e duan teatrin, se kanë edhe ata një lloj brumi artistik apo talenti dhe se do të vijnë sa më shumë për të parë këtë shfaqje”, u shpreh aktorja Zhoana Karaj.
“Perfekt për aktorët dhe për të gjithë stafin që kemi pasur. Sa i përket mesazhit, mendoj se është përcjellë, pasi trajton një faktor që ndikon shumë në shoqërinë tonë, përplasjen mes materializmit dhe traditës. Publiku ishte i mrekullueshëm, na priti shumë mirë dhe energjia ishte fantastike”, tha aktori, Anxhelo Hysenaj.
Për realizimin e kësaj komedie, regjisori Edison Lleshi vlerëson punën dhe përkushtimin e gjithë trupës artistike, ndërsa bën të ditur se shfaqja do të vijojë rrugëtimin në qytete të tjera të vendit, përfshirë edhe Tiranën.
“Objektivi ishte premiera. Ia arritëm dhe jemi shumë të lumtur, sepse kemi arritur një rezultat shumë të mirë. Shfaqja u prit mirë nga publiku, i cili ishte i pranishëm në numër të madh, ndërsa duartrokitjet ishin të zjarrta”, tha regjisori.
Përtej suksesit në skenë, komedia “Dashuri, Paqe, Para” është edhe fryt i mbështetjes së Bashkisë Lezhë, përmes Thirrjes për Projekte Kulturore, një nismë që synon t’i japë hapësirë krijimtarisë artistike dhe të sjellë më shumë jetë në skenën kulturore të qytetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




