Masakra në Poloni, shkon në 9 numri i viktimave, autori dyshohet se vrau edhe prindërit dhe motrën në banesën e tij

Detaje të reja janë zbardhur nga sulmi i përgjakshëm me armë zjarri në Krakov të Polonisë, ku gjashtë persona humbën jetën dhe 16 të tjerë u plagosën. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së shtunës, më 7 nëntor, në sheshin qendror të qytetit, një nga zonat më të frekuentuara nga turistët.
Ndërkohë, hetimet morën një tjetër drejtim pas zbulimit të tre trupave të pajetë në banesën e autorit të dyshuar, një 25-vjeçar polak. Sipas kryeministrit Donald Tusk, bëhet fjalë për dy gra dhe një burrë, të cilët dyshohet se i përkasin rrethit të tij të ngushtë familjar. Kështu, numri i viktimave të lidhura me ngjarjen shkon në nëntë.
Autoritetet polake po hetojnë motivet e sulmit, ndërsa ministri i Brendshëm, Marcin Kierëinski, ka deklaruar se autori dyshohet se ishte ndikuar nga ideologji të ekstremit të djathtë dhe pikëpamje ultranacionaliste. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar ndonjë lidhje e tij me një organizatë ekstremiste.
Kryeministri polak, Donald Tusk, e ka cilësuar ngjarjen si një akt terrorist, ndërsa në vend janë shpallur ditë zie në nderim të viktimave.
Si ndodhi sulmi në sheshin qendror të Krakovit
Ngjarja ndodhi pak para orës 15:00 të së shtunës, kur 25-vjeçari hyri me automjet në sheshin Rynek Glowny, në zemër të qytetit të Krakovit, dhe hapi zjarr në drejtim të qytetarëve.
Sipas policisë, autori qëlloi në mënyrë të pakontrolluar ndaj njerëzve nga automjeti i tij, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe turistëve që ndodheshin në zonë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njerëz që vrapojnë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa në sfond dëgjohen të shtëna të njëpasnjëshme.
Nga plumbat u godit edhe një tramvaj që po kalonte në zonë, duke shkaktuar thyerjen e xhamave, por fatmirësisht pa të lënduar mes pasagjerëve. Dëmtime u konstatuan gjithashtu në vitrinat e disa bizneseve pranë sheshit, ndërsa copëza xhamash u shpërndanë në rrugë dhe trotuare.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe u përfshi në një shkëmbim zjarri me autorin. 25-vjeçari u plagos nga të shtënat e efektivëve dhe u arrestua. Ai u transportua në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe vijon të mbahet nën mbikëqyrje policore.
Gjashtë të vrarë në shesh, mes tyre një shtetas britanik
Bilanci zyrtar i sulmit në sheshin qendror të Krakovit është gjashtë viktima, katër gra dhe dy burra.
Sipas autoriteteve polake, tre prej viktimave janë shtetas polakë, një është shtetas britanik, ndërsa identiteti i dy personave të tjerë nuk ishte përcaktuar në njoftimet fillestare.
Në total, 16 persona u dërguan në spital pas ngjarjes. Mes tyre pesë shtetas të huaj, dy efektivë policie dhe vetë autori.
Të plagosurit e huaj raportohet se janë shtetas të Austrisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Portugalisë dhe Rusisë.
Tre trupa të pajetë në banesën e autorit
Një tjetër zhvillim i rëndë u regjistrua gjatë kontrolleve të policisë në banesën e 25-vjeçarit, në qytetin Ostroëiec Swietokrzyski, rreth 150-200 kilometra larg Krakovit.
Gjatë kontrolleve, u gjetën tre persona të pajetë, dy gra dhe një burrë.
Sipas raportimeve të mediave polake, dyshohet se viktimat janë prindërit dhe motra e autorit, por ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht. Kryeministri Tusk deklaroi se personat e gjetur të vdekur ka të ngjarë të jenë pjesëtarë të familjes së të dyshuarit.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin rrethanat e vdekjes së tyre dhe të përcaktojnë nëse ngjarja në banesë ka ndodhur përpara sulmit në Krakov dhe çfarë lidhjeje mund të ketë me të.
Kush është autori dhe çfarë dihet për motivet?
I dyshuari është një 25-vjeçar me shtetësi polake, identiteti i të cilit nuk është bërë publik zyrtarisht nga autoritetet.
Sipas policisë, ai ishte i veshur me rroba të stilit ushtarak dhe përdori një armë zjarri të ngjashme me ato ushtarake. Megjithatë, ministria polake e Mbrojtjes ka sqaruar se 25-vjeçari nuk kishte shërbyer në forcat e armatosura.
Në automjetin e tij u gjetën edhe armë dhe municione të tjera. Sipas mediave polake, ai dispononte leje për armëmbajtje dhe dyshohet se një pjesë të armatimit mund ta kishte siguruar nga shtëpia.
Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwinski, deklaroi se hetimet paraprake tregojnë për ndikim nga ideologjitë e ekstremit të djathtë.
“Gjithçka tregon se ai ishte i magjepsur nga ideologjitë e ekstremit të djathtë. Megjithatë, kjo mbetet ende për t’u verifikuar”, u shpreh ministri.
Policia dyshon se 25-vjeçari ka vepruar i vetëm. Deri më tani nuk ka prova të bëra publike që ta lidhin atë me ndonjë grup të organizuar ekstremist.




