Pesë vende evropiane po i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar të thellojnë bashkëpunimin, veçanërisht në sektorin e energjisë së pastër. Gjermania, Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Danimarka kërkojnë që palët të përshpejtojnë negociatat për rikthimin e Britanisë në tregun e brendshëm të energjisë elektrike të BE-së.
Në një letër drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, pesë liderët argumentojnë se një integrim më i madh energjetik do të sillte përfitime për të dyja palët.
Nisma synon të jetë në qendër të samitit BE-Britani, që pritet të zhvillohet më 20 nëntor në Bruksel, ku kryeministri britanik Andy Burnham do të takohet me drejtuesit e institucioneve evropiane. Në këtë takim pritet të diskutohen marrëveshje për tregtinë e produkteve ushqimore, emetimet e karbonit dhe shkëmbimet rinore.
Në letrën e tyre, pesë liderët kërkojnë që gjatë samitit të përcaktohet një rrugë konkrete për përfundimin e negociatave mbi rikthimin e Britanisë në tregun e përbashkët të energjisë elektrike.
Ata e cilësojnë Mbretërinë e Bashkuar një “partner të afërt në tranzicionin energjetik” dhe argumentojnë se integrimi i saj në këtë treg është i domosdoshëm për të shfrytëzuar potencialin e plotë të Detit të Veriut, me synimin për ta kthyer atë në qendrën më të madhe të energjisë së pastër në botë.
Britania dhe nëntë vende të tjera evropiane kanë nënshkruar më herët një marrëveshje për përshpejtimin e ndërtimit të parqeve eolike në det gjatë viteve 2030 dhe krijimin e një rrjeti të përbashkët energjetik në Detin e Veriut. Megjithatë, dalja e Britanisë nga tregu i brendshëm energjetik i BE-së konsiderohet pengesë për zhvillimin e këtyre projekteve dhe rritje e kostove.
Pengesë mbeten kontributet financiare
Rikthimi në tregun e përbashkët të energjisë mund të hapë një tjetër debat mes Londrës dhe Brukselit. Sipas propozimit, Britania do të duhet të kontribuojë në buxhetin e BE-së, përfshirë fondet e kohezionit që financojnë zhvillimin ekonomik të rajoneve më pak të pasura.
Zyrtarët britanikë kanë shprehur rezerva për mundësinë që paratë e taksapaguesve britanikë të përdoren për financimin e projekteve infrastrukturore në Evropën Qendrore dhe Lindore. Një vit më parë, negociatat për pjesëmarrjen e Britanisë në fondin evropian të mbrojtjes prej 150 miliardë eurosh dështuan pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kontributin financiar të Londrës.
Për të shmangur një tjetër përplasje, pesë vendet theksojnë se marrëveshja energjetike mund të sjellë çmime më të ulëta dhe më të qëndrueshme të energjisë për konsumatorët britanikë. Sipas të dhënave të organizatës së industrisë energjetike Energy UK, të publikuara në vitin 2024, ruajtja e marrëdhënieve aktuale mund t’i kushtojë Britanisë rreth 10 miliardë paund shtesë gjatë periudhës 2024-2029, përmes faturave më të larta dhe të ardhurave më të ulëta për thesarin britanik.
Ndërkohë, kryeministri Andy Burnham ka deklaruar se qeveria e tij do të shqyrtojë mundësitë për një marrëdhënie më të afërt me BE-në, duke përfshirë një bashkim doganor, rikthimin në tregun e përbashkët apo edhe anëtarësimin e plotë në union.
Por ish-negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier, ka paralajmëruar se Britania nuk mund të zgjedhë vetëm ato pjesë të tregut të përbashkët që i interesojnë. Sipas tij, rikthimi kërkon pranimin e të katër lirive themelore të BE-së: lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve.
Ndërkohë, si një tjetër shenjë e afrimit mes palëve, qeveria britanike ka njoftuar se vendi do t’i bashkohet sërish programit të shkëmbimeve studentore Erasmus+ në janar.


