Hetimet për sulmin me armë zjarri në Krakov të Polonisë kanë zbardhur detaje të reja tronditëse. Në banesën e 25-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e gjashtë personave janë gjetur të pajetë edhe prindërit dhe motra e tij.
Sipas policisë polake, viktimat janë babai 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 20-vjeçare e autorit të dyshuar, Michał Oksiński. Të tre janë gjetur me plagë të shkaktuara nga armë zjarri, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e vdekjes së tyre.
Ndërkohë, vetë 25-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Zëdhënësi i drejtuesit të Policisë Polake, nëninspektori Andrzej Fijolek, konfirmoi për televizionin TVN24 se gjendja e tij është serioze.
Sipas të njëjtit zyrtar, bilanci i viktimave dhe gjendja e personave të tjerë të plagosur nga sulmi nuk kanë pësuar ndryshime.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një shesh qendror të Krakovës, ku 25-vjeçari hapi zjarr ndaj personave të pranishëm, duke vrarë gjashtë prej tyre dhe plagosur 15 të tjerë. Ai u qëllua nga policia gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij dhe më pas u dërgua në spital.
Zbulimi i tre trupave në banesën e të dyshuarit ka zgjeruar hetimet, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin rrethanat e vrasjeve dhe motivet e sulmit.


