Nis atmosfera e Krishtlindjeve në New York, mbërrin bredhi gjigant në “Rockefeller Center”

New Yorku ka nisur të vishet gradualisht me atmosferën festive të Krishtlindjeve. Ditën e shtunë, në Rockefeller Center mbërriti bredhi gjigant që do të jetë edhe këtë vit një nga simbolet më të njohura të festave të fundvitit në metropolin amerikan.
Pema e këtij viti është një bredh i llojit Norway Spruce, me lartësi rreth 23 metra. Ajo është transportuar nga zona West Edmeston, në shtetin e Neë Yorkut, dhe mendohet të jetë rreth 75 vjeç. Gjerësia e saj arrin afërsisht 15 metra, ndërsa peshon rreth 11 tonë.
Në javët në vijim, bredhi do të dekorohet me mijëra drita dhe zbukurime festive, duke u shndërruar sërish në një prej atraksioneve më të fotografuara të Krishtlindjeve në botë.
Një traditë që daton prej vitit 1931
Tradita e vendosjes së pemës së Krishtlindjeve në Rockefeller Center nisi në vitin 1931, kur punëtorët që merrnin pjesë në ndërtimin e kompleksit vendosën një bredh të vogël, të cilin e zbukuruan me dekore të improvizuara.

Dy vite më vonë, në vitin 1933, u organizua ceremonia e parë zyrtare e ndezjes së dritave, duke krijuar një traditë që do të bëhej pjesë e pandashme e festimeve të Krishtlindjeve në New York.
Që prej asaj kohe, pema gjigante është kthyer në një simbol të festave të fundvitit, duke tërhequr çdo vit miliona vizitorë në Manhattan, të cilët mblidhen për ta admiruar dhe për të realizuar fotografi përpara saj.




