
Atmosfera e Krishtlindjeve ka nisur në Nju Jork, ndërsa bredhi tradicional që çdo vit zbukuron Rockefeller Center ka mbërritur në zemër të Manhattanit.
Pema gjigante norvegjeze, rreth 75-vjeçare, është afërsisht 23 metra e lartë, 15 metra e gjerë dhe peshon rreth 11 tonë. Ajo u transportua nga West Edmeston, në shtetin e Nju Jorkut.
Në javët e ardhshme, bredhi do të dekorohet me mijëra drita, duke u shndërruar në një nga atraksionet më të njohura të festave të fundvitit. Çdo vit, miliona vizitorë shkojnë në Rockefeller Center për të parë nga afër pemën ikonike.
Tradita e bredhit të Krishtlindjeve në Rockefeller Center nisi në vitin 1931, kur punëtorët që ndërtonin kompleksin vendosën një pemë të vogël të zbukuruar. Dy vite më vonë, në vitin 1933, u zhvillua ceremonia e parë zyrtare e ndezjes së dritave.
Prej atëherë, bredhi është kthyer në një nga simbolet më të njohura të Krishtlindjeve në Nju Jork dhe në mbarë botën.
