Protesta e 7 nëntorit kalon kufijtë e Shqipërisë, mediat e huaja pasqyrojnë tensionet
Protesta e zhvilluar më 7 nëntor në Tiranë ka marrë vëmendjen e mediave të njohura ndërkombëtare, duke i çuar zhvillimet politike në Shqipëri përtej kufijve të vendit. Bloomberg, Reuters dhe Al Jazeera kanë pasqyruar demonstratën, përplasjet mes protestuesve dhe policisë, si dhe ndërhyrjen e forcave të rendit për shpërndarjen e turmës.
Agjencia amerikane Bloomberg i ka kushtuar vëmendje situatës së tensionuar në kryeqytet, duke e vendosur protestën në kontekstin e përplasjeve politike dhe pakënaqësisë ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në raportimin e saj theksohet përdorimi i ujit me presion dhe gazit lotsjellës nga policia shqiptare kundër demonstruesve. Ngjarja paraqitet si pjesë e një serie protestash që kanë shtuar trysninë politike ndaj qeverisë.
Edhe agjencia ndërkombëtare Reuters ka sjellë në vëmendje zhvillimet përmes fotografive të realizuara në Tiranë. Fotoreportazhi dokumenton momentet e ndërhyrjes policore dhe përdorimin e autobotëve me ujë kundër protestuesve.
Një prej fotografive, e realizuar nga fotografi Florion Goga, tregon momentin kur një demonstrues përballet me presionin e ujit të hedhur nga automjetet e policisë. Pamjet përcjellin dimensionin vizual të përplasjeve që shoqëruan tubimin.
Zhvillimet në Shqipëri janë pasqyruar gjithashtu nga televizioni ndërkombëtar Al Jazeera. Në raportimin e publikuar më 7 nëntor, media ndalet te protestuesit e maskuar, hedhja e mjeteve piroteknike dhe bllokimi i rrugëve në kryeqytet.
Raportimi përfshin edhe reagimin e policisë, e cila përdori ujë me presion për të shpërndarë demonstruesit.
Pasqyrimi nga këto media me shtrirje ndërkombëtare e ka vendosur protestën e 7 nëntorit në qendër të vëmendjes përtej Shqipërisë, duke sjellë në publikun e huaj pamjet e tensioneve dhe përplasjeve që shoqëruan demonstratën në Tiranë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



