Një nga Ferrarit më të rrallë del në shitje, çmimi mund të kalojë 8 milionë euro
Një nga Ferrarit më të rrallë dhe më të vlefshëm të epokës moderne do të dalë në ankand muajin e ardhshëm, me një çmim që mund të kalojë 9 milionë dollarë (8 milionë euro).
Bëhet fjalë për Ferrari 499P Modificata, versionin për klientë të makinës 499P që fitoi garën “24 Hours of Le Mans”.
Modeli përdor motorin 3.0-litërsh V6 twin-turbo dhe motorin elektrik të vendosur përpara.
Me sistemin “Push to Pass”, fuqia totale arrin në 858 kuaj-fuqi, dukshëm më shumë se versioni i garave, i kufizuar në rreth 680 kuaj-fuqi.
Ferrari ka modifikuar gjithashtu kontrollet elektronike, ndërsa gomat Michelin janë zëvendësuar me një set të posaçëm Pirelli.
Karroceria është prej fibrash karboni dhe ruan aerodinamikën ekstreme të makinës së Le Mans.
Christie’s po nxjerr në ankand shasinë numër 20, e lyer në të kuqe, me numrin “88” dhe detaje në ngjyrat e flamurit italian.
Vlerësohet se mund të shitet për mbi 7.5 milionë franga zvicerane, ose më shumë se 9 milionë dollarë.
Pronari i ardhshëm do të ketë qasje në programin ekskluziv “Sport Prototipo Clienti” të Ferrarit, me ditë të posaçme në pistë dhe mbështetje teknike.
Megjithatë, makina duhet të qëndrojë në Maranello deri në dhjetor të vitit 2028, ku do të ruhet dhe mirëmbahet nga Ferrari, para se të mund të kalojë në koleksionin privat të pronarit.





























