Vendosni fjalën kyçe....

Polonia në zi pas sulmit me armë në Krakov



Polonia ka shpallur dy ditë zie kombëtare, një ditë pas sulmit me armë në sheshin kryesor të Krakovit, ku mbetën të vrarë gjashtë persona dhe u plagosën 15 të tjerë. Ndërkohë, policia konfirmoi të dielën se në banesën e të dyshuarit janë gjetur edhe tre trupa të tjerë, që i përkasin motrës, nënës dhe babait të tij, përcjell DW.

Sulmi ndodhi të shtunën në sheshin Rynek Główny, në qytetin e dytë më të madh të Polonisë, një zonë e frekuentuar nga turistët. Sipas autoriteteve, 24-vjeçari i dyshuar, i veshur me uniformë ushtarake, qëlloi në mënyrë të rastësishme ndaj njerëzve ndërsa lëvizte me automjet nëpër shesh.

I dyshuari u plagos nga policia gjatë ndërhyrjes dhe ndodhet në gjendje kritike në spital. Autoritetet polake bëjnë me dije se ai kishte bindje ekstremiste të së djathtës dhe pikëpamje ultranacionaliste. Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwinski, deklaroi se gjithçka tregon se 24-vjeçari ishte i përfshirë nga ideologjitë e ekstremit të djathtë.

Kryeministri polak, Donald Tusk, e cilësoi sulmin si një akt “terrorizmi” të ekstremit të djathtë, megjithatë autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur një motiv të mundshëm për ngjarjen.

Mes viktimave ishte edhe një shtetas britanik. Ndërsa të plagosurit përfshijnë shtetas të Austrisë, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Portugalisë dhe Rusisë. Dy efektivë policie u plagosën gjatë përballjes me të dyshuarin dhe ndodhen në spital. Njëri prej tyre është në gjendje kritike, ndaj autoritetet kanë bërë thirrje për dhurim gjaku.

Sipas Shoqatës së Karrocierëve të Krakovit, disa drejtues karrocash me kuaj mbetën gjithashtu të plagosur rëndë gjatë sulmit.

Ndërkohë, tre trupat e gjetur në banesën e të dyshuarit në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski, rreth 150 kilometra në verilindje të Krakovit, janë identifikuar si familjarët e tij. Gjatë kontrollit në apartament, policia sekuestroi disa armë zjarri.

Sipas raportimeve të mediave polake, 24-vjeçari nuk kishte precedentë penalë. Ai dhe babai i tij ishin anëtarë të një klubi qitjeje.

Në sheshin kryesor të Krakovit, qytetarët kanë vendosur qirinj në kujtim të viktimave. Në qytet janë ulur flamujt e zinj dhe flamujt polakë me shirita të zinj, ndërsa një pjesë e sheshit vijon të jetë e rrethuar nga policia për shkak të hetimeve.