Hetimet për sulmin me armë zjarri që tronditi qytetin polak të Krakovës kanë zbuluar të tjera detaje të rënda. Pas gjashtë personave që humbën jetën në sheshin historik të qytetit, policia ka gjetur edhe tre trupa të pajetë në banesën e 25-vjeçarit të dyshuar si autor i masakrës. Zbulimi e çon në nëntë numrin e viktimave që dyshohet se lidhen me ngjarjen.
Tre personat, dy gra dhe një burrë, u gjetën në një banesë në Ostrowiec Świętokrzyski, rreth 200 kilometra larg Krakovës. Sipas mediave polake, dyshohet se bëhet fjalë për prindërit dhe motrën e autorit, megjithëse identitetet e tyre nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht.
Kryeministri polak Donald Tusk ka deklaruar se viktimat mund të jenë anëtarë të familjes së ngushtë të të dyshuarit, ndërsa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë lidhjen mes vdekjeve në banesë dhe sulmit të përgjakshëm në qendër të Krakovës.
Ngjarja që tronditi Poloninë ndodhi të shtunën, më 7 nëntor, pak përpara orës 15:00, në sheshin Rynek Główny, një nga destinacionet turistike më të njohura të vendit.
Sipas rindërtimit të policisë, 25-vjeçari mbërriti në shesh me automjet dhe nisi të qëllonte drejt njerëzve që ndodheshin aty. Sulmi shkaktoi panik të menjëhershëm, ndërsa banorë dhe turistë u larguan me vrap, duke kërkuar strehim në ndërtesat dhe lokalet përreth.
Nga breshëria e plumbave u godit edhe një tramvaj në lëvizje. Xhamat e tij u thyen, por asnjë nga pasagjerët nuk pësoi lëndime. Dëmtime u regjistruan gjithashtu në disa biznese pranë sheshit.
Ndërhyrja e policisë ishte e menjëhershme. Brenda rreth tre minutash nga nisja e sulmit, efektivët arritën të neutralizonin autorin e dyshuar pas një shkëmbimi zjarri. Ai mbeti i plagosur, iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal dhe po mbahet në spital nën mbikëqyrjen e autoriteteve.
Megjithatë, operacioni për ndalimin e tij pati pasoja të rënda edhe për forcat e rendit. Dy policë u plagosën gjatë përplasjes, njëri prej të cilëve u godit nga tre plumba dhe ndodhet në gjendje kritike.
Kryeministri Tusk bëri publikë emrat e dy efektivëve të plagosur, Jakub Kulik dhe Artur Moranski.
Pamje të ndërhyrjes policore janë publikuar edhe në media. Një video, autenticiteti i së cilës është verifikuar nga BBC Verify, tregon momentet e përballjes mes efektivëve dhe të dyshuarit. Në regjistrim shihet një polic që qëllon drejt agresorit të shtrirë në tokë, përpara se të rrëzohet edhe vetë, në atë që duket të jetë pasojë e plagosjes gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Bilanci i sulmit në shesh ishte gjashtë viktima, katër gra dhe dy burra. Tre prej personave që humbën jetën janë identifikuar si shtetas polakë, ndërsa një tjetër ishte britanik. Për dy viktimat e mbetura nuk ishin publikuar ende të dhëna të plota mbi identitetin.
Në spitale u transportuan 16 persona, mes tyre pesë shtetas të huaj, dy efektivët e policisë dhe vetë autori i dyshuar. Sipas Ministrisë së Brendshme polake, mes të huajve të plagosur ka shtetas nga Austria, Britania e Madhe, Gjermania, Portugalia dhe Rusia.
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me bindjet ideologjike të sulmuesit. Autoritetet kanë bërë të ditur se 25-vjeçari, shtetas polak, ishte i veshur me uniformë të stilit ushtarak dhe përdorte një armë zjarri të ngjashme me ato ushtarake, megjithëse nuk kishte qenë pjesë e forcave të armatosura.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia zbuloi armë dhe municione të tjera. Sipas raportimeve të mediave vendase, i dyshuari kishte leje për armëmbajtje, ndërsa po verifikohet mundësia që një pjesë e arsenalit të jetë marrë nga banesa e familjes.
Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, ka deklaruar se të dhënat paraprake tregojnë një interes të të riut për ideologjitë e ekstremit të djathtë dhe pikëpamjet ultranacionaliste.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se këto dyshime nuk janë provuar përfundimisht dhe se deri tani nuk është dokumentuar ndonjë lidhje e tij me organizata ekstremiste. Pista kryesore mbetet ajo e një sulmuesi që ka vepruar i vetëm.
Ndërkohë, dëshmitë e personave që ndodheshin në shesh në momentin e sulmit kanë zbuluar përmasat e panikut.
Turisti britanik Jonathan Balshaw, nga Ipswich, ndodhej pranë Bazilikës së Zonjës Sonë së bashku me partneren e tij, Dominika, kur dëgjoi të shtënat. Të dy vrapuan drejt kishës dhe u strehuan brenda saj, së bashku me persona të tjerë.
Balshaw tregoi se kishte dëgjuar më shumë se 20 të shtëna dhe se zhurmat dukeshin sikur vinin nga armë të ndryshme.
Një tjetër turiste britanike, Caitlin Sasby, ndodhej në hotel me partnerin e saj kur nisën të dëgjoheshin krismat. Pak më vonë, personeli i hotelit u kërkoi të qëndronin në dhoma për arsye sigurie.
Edhe muzikanti 32-vjeçar Daniel Volne përshkroi për agjencinë AFP skenat e rënda që kishte parë pas sulmit. Ai tregoi se kishte hasur persona të shtrirë në tokë, ndërsa të tjerë përpiqeshin t’u jepnin ndihmën e parë të plagosurve.
Pas neutralizimit të autorit, policia bllokoi hyrjet në sheshin kryesor dhe rrugët përreth. Automjeti i përdorur gjatë sulmit u lokalizua në kryqëzimin e rrugëve Dietla dhe Stradomska, ku specialistët kryen kontrolle për lëndë shpërthyese.
Nga verifikimet nuk u zbuluan eksplozivë, por disa banorë të ndërtesave pranë zonës u evakuuan përkohësisht si masë sigurie.
Ngjarja solli rritjen e nivelit të sigurisë edhe në qytete të tjera të Polonisë, përfshirë kryeqytetin Varshavë.
Kryeministri Donald Tusk udhëtoi drejt Krakovës dhe e cilësoi sulmin si një akt terrorist të një përmase të paprecedentë për vendin. Ai theksoi se Polonia nuk ishte përballur më parë me një episod kaq ekstrem dhune ndaj qytetarëve.
Në shenjë respekti për viktimat, kryebashkiaku i Krakovës, Lukasz Gybala, shpalli zi në qytet deri më 11 nëntor. Ndërkohë, në të gjithë Poloninë u caktuan dy ditë zie kombëtare, më 8 dhe 9 nëntor.
Sulmi shkaktoi reagime edhe jashtë kufijve të vendit. Përfaqësues të Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian shprehën ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin me popullin polak.
Mes personaliteteve që reaguan ishin edhe përfaqësuesja e lartë e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ambasadori amerikan në Poloni, Tom Rose, si dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Pavarësisht arrestimit të autorit të dyshuar, hetimet mbeten të hapura. Autoritetet po përqendrohen në zbardhjen e vdekjes së tre personave të gjetur në banesën e tij, sigurimin e armëve dhe përcaktimin e motiveve që çuan në një nga ngjarjet më të rënda të raportuara në Poloni.
