Banorët e Shkabajt kërkojnë renovimin e ambulantës pas përfundimit të punimeve në shkollë

Lagjja Shkabaj në Prishtinë ka ngritur si prioritet të radhës renovimin e ambulantës, pas përfundimit të renovimit të shkollës në këtë lagje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, përfaqësuesit e lagjes kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të angazhohen për realizimin e kërkesave të banorëve pranë Komunës së Prishtinës.
Në reagimin e tyre, ata kanë theksuar se paraqitja e kërkesave në komunë nuk duhet të mbetet vetëm në nivel formal apo të përdoret për qëllime politike, por duhet të përcillet me angazhim të vazhdueshëm, takime dhe komunikim me institucionet deri në realizimin e tyre.
Po ashtu, përfaqësuesit e lagjes kanë pretenduar se disa projekte në të kaluarën janë penguar edhe fizikisht nga përfaqësues të Bashkësisë Lokale, ndërsa më vonë, sipas tyre, janë paraqitur sërish kërkesa për realizimin e projekteve të njëjta.
Në fund të reagimit, ata u kanë bërë thirrje banorëve që të vazhdojnë të jenë të bashkuar në adresimin e kërkesave që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës në lagje. /Telegrafi/






































