Ekstradohet nga Spanja 41-vjeçari, i dënuar me 7 vite burg! Për çfarë akuzohet

Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Barcelona drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”. Bëhet fjalë për Arnold Jahon, i cili është dënuar nga Gjykata e Tiranës për krime kundër personit, armëmbajtje pa leje, pastrim parash dhe krime ekonomike.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve spanjollë në Madrid.
Në vitin 2026, Gjykata e Tiranës e ka dënuar Jahon me 6 vite burg për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Ndërsa në vitin 2024, ai është dënuar me 1 vit burgim për veprën penale “Mashtrimi”.
Gjithashtu, në vitin 2025, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër ndalimi ndaj tij për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
41-vjeçari është ekstraduar në Shqipëri për të vuajtur dënimet e dhëna nga gjykata dhe për të përballuar procedurat e mëtejshme ligjore.




