Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pastrimin e parave përmes ndërtimeve në Tiranë. Në një bisedë online me ndjekësit, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares Rei Haka lidhur me dosjen “Albanian Files” dhe hetimet e SPAK-ut, Berisha pretendoi se kullat janë përdorur për të pastruar para të përfituara nga trafiku i drogës.
Berisha deklaroi se gjatë tetë viteve të qeverisjes së tij nuk ka firmosur asnjë kullë apo pallat mbi shtatë kate.
Ai akuzoi Ramën se ka shkuar vetë, ose ka dërguar përfaqësues, në Aruba për t’u takuar me persona të lidhur me trafikun e drogës dhe për të negociuar, sipas tij, investimin e parave të tyre në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.
Kreu i PD-së ngriti gjithashtu akuza për emërimin e Adelaida Rokos në krye të Agjencisë së Planifikimit Urban, duke pretenduar se ajo ka lidhje familjare me persona të afërt me Suel Çelën, të cilët janë të burgosur në Itali.
Berisha tha se përgjegjësia për funksionimin e agjencive shtetërore dhe vendimmarrjen në fushën e ndërtimeve i takon kryeministrit.
Në fund, ai u ndal te roli i Bankës së Shqipërisë dhe guvernatorit, duke pretenduar se 80 për qind e parave që financojnë kullat nuk vijnë nga bankat. Sipas Berishës, Rama i ka dhënë guvernatorit “imunitet të përjetshëm”, në mënyrë që ky i fundit të mos tregojë të vërtetën për burimin e parave që investohen në ndërtim.
“Rama i dha guvernatorit imunitet të përjetshëm, sepse është vetë një nga paralarësit kryesorë”, deklaroi Berisha.a.b





