Tragjedi në Kroaci, përmbyset autobusi me turistë serbë, dy viktima dhe disa të plagosur

Dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti të rëndë rrugor të ndodhur mëngjesin e së dielës në autostradën A3 në Kroaci.
Aksidenti ndodhi rreth orës 07:30, në kilometrin e 61-të të autostradës, kur një autobus doli nga rruga dhe u përmbys. Sipas mediave lokale, në autobus udhëtonin 33 turistë serbë dhe dy drejtues mjeti.
Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, zjarrfikësit dhe disa ambulanca për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Për ndërhyrjen u angazhua edhe një helikopter i shërbimit të urgjencës mjekësore.
Sipas informacioneve paraprake, gjendja shëndetësore e disa prej të plagosurve është e rëndë. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.




