Humbi babanë duke luajtur futboll, klubi spanjoll do të mbajë financiarisht vajzën e futbollistit deri në moshën 18-vjeçare

Një gjest i jashtëzakonshëm solidariteti vjen nga futbolli spanjoll. Klubi i Tenerife ka marrë përsipër të mbështesë financiarisht Carla-n, vajzën vetëm njëvjeçare të sulmuesit Jesús de Miguel, i cili ndërroi jetë tragjikisht pas një përplasjeje gjatë një ndeshjeje futbolli.
Vendimi u bë publik nga aksionari kryesor i klubit, Rayco García, gjatë ceremonisë emocionuese të organizuar në nderim të futbollistit. Drejtuesit e Tenerife-s kanë premtuar se do të qëndrojnë pranë vogëlushes dhe familjes së saj, duke ofruar mbështetje ekonomike të paktën deri në momentin kur ajo të mbushë 18 vjeç.
Drejtori i përgjithshëm i klubit, Antonio Manuel Porro Granados, ka theksuar se ky angazhim vjen me iniciativën e aksionarit kryesor dhe mbështetet nga e gjithë struktura e klubit.
“Plani ynë është të qëndrojmë pranë vajzës dhe të sigurohemi që e gjithë familja e Tenerife-s ta mbështesë. Duam të jemi pranë saj të paktën deri sa të arrijë moshën madhore”, është shprehur ai, duke shtuar se klubi po shqyrton edhe mënyra të tjera për të rritur ndihmën financiare për familjen.
Jesús de Miguel, vetëm 30 vjeç, humbi jetën pas një përplasjeje me portierin e Andorrës, Jesús Owono, gjatë një ndeshjeje të kampionatit të kategorisë së dytë spanjolle. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore dhe transportimit në spital, sulmuesi nuk arriti të mbijetonte.
Një premtim që synon të mbrojë të ardhmen e një fëmije dhe të nderojë kujtimin e babait të saj.




