
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka siguruar pajisje të posaçme për përballimin e protestave të studentëve, përfshirë autobotë uji, mjete që lëshojnë tinguj me intensitet të lartë dhe gaz lotsjellës.
Deklaratat u bënë në përgjigje të një pyetjeje të qytetarëve në rrjetet sociale lidhur me koston e dy autobotëve të ujit të sjellë nga qeveria për ndërhyrjet gjatë protestave.
Berisha pretendoi se autobotët nuk janë të vetmet pajisje të siguruara nga qeveria. Sipas tij, makinat që hedhin ujë janë marrë nga Turqia dhe nuk duhet të përdoren kundër protestuesve, për shkak të fuqisë së madhe të goditjes së ujit.
“Por ky ka sjellë, siç e dini ju, makinat e zhurmës së tmerrshme shurdhuese për protestuesit, i ka marrë si Vuçiçi në Beograd”, u shpreh kreu i PD-së.
Ai pretendoi gjithashtu se qeveria ka siguruar nga Serbia sasi të mëdha gazi lotsjellës të skaduar, të cilin, sipas tij, konventat ndërkombëtare nuk e lejojnë të përdoret kundër protestuesve.
Berisha e lidhi sigurimin e këtyre pajisjeve me vijimin e protestës studentore dhe reagimin e autoriteteve ndaj saj. Ai kritikoi gjithashtu firmosjen e akteve të fundit nga qeveria, duke i cilësuar ato si “akte të turpit”.
Pretendimet e Berishës për origjinën, karakteristikat dhe ligjshmërinë e përdorimit të pajisjeve nuk u shoqëruan me dokumente apo prova në deklaratën e tij.