Në Serbi janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave kombëtarë të pakicave.

Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Serbi u kanë bërë thirrje shqiptarëve që të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar.


Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00. Të drejtë vote kanë 481.789 votues të regjistruar në listat e posaçme zgjedhore.

Qytetarët votojnë për listën zgjedhore të pakicës së tyre kombëtare, teksa mandatet më pas do të ndahen në përpjesëtim me numrin e votave të fituara.

Me votim të drejtpërdrejtë do të zgjidhen anëtarët e këshillave të 21 pakicave kombëtare, shkruan REL.

Për zgjedhjen e këshillit kombëtar për pakicën shqiptare, të drejtë vote kanë 37.759 votues.

Këshillat kombëtarë në Serbi përfaqësojnë komunitetet e pakicave në fushën e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhëve dhe teksteve.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi do t’i publikojë rezultatet e këtyre zgjedhjeve jo më vonë se 96 orë pas mbylljes së qendrave të votimit.

Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, tha se ky këshill është institucioni më i rëndësishëm për shqiptarët në Luginë të Preshevës.

“Një institucion i tillë duhet të udhëhiqet me besë e me zemër”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke shtuar se me mbështetjen e Kosovës dhe Shqipërisë, interesi kombëtar i shqiptarëve duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.

Ai kërkoi që shqiptarët të dalin të votojnë për të “forcuar zërin dhe për të vazhduar rrugën e përfaqësimit të vendosur e të pakompromis të të drejtave”.

Thirrje për pjesëmarrjen në votim të shqiptarëve ka bërë edhe kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Përmes një video-adresimi në rrjetet sociale, ai përmendi sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë të Preshevës, duke premtuar se do të vazhdojë t’i adresojë kërkesat dhe sfidat e shqiptarëve.

Thirrje për votim bëri edhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Pas votimit, ajo shkroi në rrjetet sociale se pjesëmarrja e shqiptarëve në votime është forma më e mirë për të ndikuar në të ardhmen e tyre.

Ndërkaq, një ditë para mbajtjes së votimeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që të votojnë për “të drejta të barabarta dhe për të ardhme”.