Në Serbi të dielën janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave kombëtarë të pakicave. Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Serbi u kanë bërë thirrje shqiptarëve që të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Të drejtë vote kanë 481.789 votues të regjistruar në listat e posaçme zgjedhore. Qytetarët votojnë për listën zgjedhore të pakicës së tyre kombëtare, teksa mandatet më pas do të ndahen në përpjesëtim me numrin e votave të fituara. Me votim të drejtpërdrejtë do të zgjidhen anëtarët e këshillave të 21 pakicave kombëtare, ndër të cilat janë pakicat kombëtare shqiptare, boshnjake, bullgare, bunjevci, vllahe, hungareze, rome, rumune, rutene, sllovake, kroate dhe malazeze. Anëtarët e këshillave të pakicave gorane dhe ruse do të zgjidhen përmes kuvendeve të delegatëve, të cilat do të organizohen në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë. Gjashtë pakica kombëtare kanë vetëm nga një listë zgjedhore, ndërsa të tjerat kanë të paktën dy. Për zgjedhjen e këshillit kombëtar për pakicën shqiptare, të drejtë vote kanë 37.759 votues. Këshillat kombëtarë në Serbi përfaqësojnë komunitetet e pakicave në fushën e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhëve dhe teksteve. Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi do t’i publikojë rezultatet e këtyre zgjedhjeve jo më vonë se 96 orë pas mbylljes së qendrave të votimit. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Serbi dhe Qeveria e Kosovës u kanë bërë thirrje shqiptarëve që të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, tha se ky këshill është institucioni më i rëndësishëm për shqiptarët në Luginën e Preshevës.